
TIRANË- Dy javë më parë ish-deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi u paraqit në SPAK, lëvizje që ndodhi disa ditë para se Struktura e Posaçme të sekuestronte truallin prej 5512 m2, ku do të investonte në Palasë. Gjatë marrjes së tij në pyetje në ambientet e Prokurorisë, gazetari Elton Qyno shkruan për "OraNews", Artan Gaçi ka pretenduar se nuk kishte asnjë lidhje me paligjshmërinë e pronës, pasi të gjithë dokumentat i kishte ndjekur kohë më parë Stavri Mëhilli dhe jo ai vetë. Sipas tij, nëse është e vërtetë që prona është marrë me dokumenta të falsifikuara nga Stavri Mëhilli, atëherë ai pretendon se nuk është përgjegjës por viktimë mashtrimit.
Në fjalën e tij, Gaçi ka bërë me dije se kishte blerë një sipërfaqe toke, duke u bazuar në certifikatën e pasurisë të lëshuar nga hipoteka e Vlorës, për të cilën tha se nuk ishte kontestuar nga askush as në Hipotekë, as në Prokurori dhe as në Gjykatë. Kështu që pasi e kishte blerë ishte vetë pronari zyrtar i kësaj sipërfaqe toke në muajin shkurt 2020.
"Nuk kam kryer asnjë krim lidhur me këtë çështje, pasi kam blerë një pasuri që e kishte regjistruar në hipotekë,"-tha ai.
Hetimet për këtë rast kanë nisur në vitin 2021 dhe SPAK ka rregjistruar dosjen për “Falsifikim të dokumentave”, “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”. Ka dyshime se personi që ka ndikuar tek regjistrimi në Kadastrën e Vlorës është pikërisht bashkëshorti i Olta Xhaçës, Artan Gaçi, i cili disa ditë më vonë do bëhej pronari me letra i saj, duke ia blerë pronën Stavri Mëhillit.
Por pse akuzohet Gaçi?
Bashkëshorti i ish-ministres gëzon edhe statusin e investitorit strategjik. Dosja në fjalë lidhet me dhënien e një prone e cila sipas Belerit është tjetërsuar dhe më pas i është shitur Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Beleri akuzon në kallëzimin e tij, kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, Artan Gaçin dhe ZRVPP Vlorë për falsifikimin që i dha 5512 metra katrorë tokë, familjes Foto Pavllo Mëhilli. Kjo pronë e cila është tokë truall, u regjistrua në ATMP si tokë bujqësore dhe më pas iu shit Artan Gaçit. Beleri që është edhe kallëzuesi për këtë çështje akuzon kryebashkiakun Jorgo Goro se ka vendosur një parcelë në një hartë që nuk ekzistonte duke shtuar se edhe numri i pasurisë nuk ekzistonte./Zëri.ai