
TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë me dije se ka nisur hetimet për për abuzimet me fondet e IPARD të alokuara nga Bashkimi Europian. Ka qenë vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili gjatë një takimi informal me gazetarët ka bërë me dije se hetimi ndodhet në fazën e verifikimit paraprak dhe është regjistruar pa emër. Por nuk dha asnjë shpjegim nëse e kishin siguruar të plotë raportin nga OLAF, që zbuloi edhe "zhdukjen" e fondeve që duhet të jepeshin për zhvillimin e bujqësisë në vend. Po ashtu, pak ditë më parë, edhe kryeministri Edi Rama në një intervistë tha se koha e abuzimeve përkon me ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifca.
Lajmi për abuzimet fillimisht u publikua në media, ku edhe u bë me dije se Komisioni Europian kishte pezulluar grantet për bujqësinë shqiptare nga programi IPARD III, për shkak të korrupsionit dhe mos respektimit të procedurave ligjore nga AZHBR në shpërndarjen e tyre. Vendimi u mor pas më shumë se 2 vite hetime nga OLAF, gjatë së cilave u zbulua se autoritetet shqiptare, përkatësisht AZHBR, nuk i kishin respektuar procedurat ligjore në shpërndarjen e granteve për fermerët duke bërë që një pjesë e madhe e fondeve të vidheshin. Madje disa raste u verifikuan dhe u zbulua se paratë ishin dhënë për investime fantazmë, të cilat nuk ekzistojnë fare.
Pas publikimit të skandalit, Ministria e Bujqësisë në një reagim për mediat theksoi se programi i mbështetjes nuk është ndërprerë, e se puna vijonte normalisht. Madje, tashmë ish-ministrja, Frida Krifca pretendonte se ato ishin procedura normale të Bashkimit Europian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara. Ndërsa kryeministri Edi Rama nuk e komentoi kurrë publikisht çështjen...deri në shkarkimin e Krifcës nga detyra si ministre. Por edhe kjo lëvizje duket e nënkuptuar, pasi zyrtarisht nuk ka dhënë asnjë shpjegim se përse postin e Krifcës ia la në duar ish-ministres së Ekonomisë dhe Financave, Frida Krifca./Zëri.ai