
TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të “fusë në filtrin” e kontrollit të gjithë ata persona që disponojnë makinë luksoze, por që nuk justifikojnë burimin e të ardhurave për blerjen e saj. Kështu, të gjitha ata persona që do të dorëzojnë deklaratën Individuale të të Ardhurave në vitin e ardhshëm do të duhet të justifikojnë dhe paratë për blerjen e makinës. Në momentin që do të ketë një mospërputhje atëherë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të nisë ballafaqimin me pasuritë që individët disponojnë. DPT gjatë gjithë vitit të ardhshëm do të vënë në në sitën e verifikimit makinat luksoze, për të parë nëse pronarët e tyre justifikojnë këtë mjet bazuar në të ardhurat që ata deklarojnë.
Në një reagim për “Report Tv”, Tatimet thonë se ende nuk ka një shifër se sa persona do të bëhen pjesë e verifikimit të pasurisë, pasi do të vendoset pasi të dorëzohet deklarata individuale e të ardhurave. Po ashtu shprehen se ky është një projekt pilot i ndërmarrë nga Administrata Tatimore në bashkëpunim me DPSHTRR, dhe është në të njëjtën linjë me nismat që administrata tatimore do të marrë në luftën kundër informalitetit.
“Aktualisht jemi në fazë idesh, diskutimesh për identifikimin e hapave që do të bëjë secila palë, ku ky projekt pilot do të implementohet. Procesi mendohet të fillojë gjatë vitit 2025 me mbylljen e deklarimit të të ardhurave vjetore për vitin 2024. Numri është në varësi të individëve që do të konsiderohen me risk të mos përmbushjes. Qëllimi është sigurimi i çdo të dhëne nga palët e treta që mundëson krahasimin e të ardhurave të deklaruara nga individët nga të gjitha burimet e tyre me pasuritë që disponojnë. Nëse rezultojnë mos deklarime të ardhurash të vërtetuara do të zbatohen dispozitat ligjore të ligjit 9920/2008 “Për Procedurat Tatimore në RSH” i ndryshuar dhe ligjit Të Tatimit mbi të Ardhurat, ku përfshihen edhe penalitetet për mos deklarim”, shprehet DPT për Report Tv.
Referuar të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Tranportit Rrugor në vendin tonë janë të regjistruara 21.814 automjete luksoze, nga të cilat 3668 automjete që ishin 5 milionë ose më lartë, kurse 18.146 automjete kishin cilindratën e përcaktuar. Ky ballafaqim pasurie nis me personat që kanë detyrim plotësimin e DIVA-s, ku referuar të dhënave zyrtare këtë vit duhet të dorëzojnë këtë deklaratë afro 106 mijë qytetar, nga të cilët 75 mijë kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë (jo të gjithë do hetohet, por vetëm ata që vlerësohet se fitojnë më shumë sesa deklarojnë)./ZËRI