ITALI- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, një 59-vjeçar dyshohet se ka vrarë ish-gruan dhe partnerin e saj, ndërsa më pas është vetëvrarë duke u hedhur nga një ndërtesë (kala). Sipas mediave italiane, ngjarja raportohet se ka ndodhur në Cossombrato pranë Torinos, një fshat me vetëm 500 banorë në provincën e Astit.
Sipas të dhënave paraprake, autori i krimit 59-vjeçari Astrit Koni dhe ish-gruaja e tij Drita Koni jetonin prej 20 vitesh në Itali. Siç raportojnë mediat, 59-vjeçari kishte tentuar disa herë të rikthehej me gruan, por ajo nuk kishte asnjë qëllim të kthehej pas për shkak të një marrëdhënieje të re.
Sipas hetimeve fillestare, 59-vjeçari i ka sulmuar viktimat me një mjet pune të mprehtë, kosore, duke i goditur për vdekje. Më pas, ai është ngjitur në kullën e kështjellës, ku ka pasur akses për shkak të punës së tij si kopshtar, dhe është hedhur, duke humbur jetën në vend.
Trupat e dy viktimave u gjetën këtë mëngjes në një kanal në rrugë, në një distancë të shkurtër nga njëri-tjetri. Fillimisht, Karabinierët gjetën trupin e autorit, ndërsa pas disa orësh kërkimesh u zbuluan edhe trupat e dy viktimave në një zonë fushore pranë hyrjes së fshatit. Vëllai i gruas që u vra ishte i pari që ka ngritur alarmin, pasi ishte shqetësuar sepse nuk kishte marrë asnjë njoftim nga motra e tij.
Ndërkohë, autoritet po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes së rëndë./ZËRI