
TIRANË- Ish-drejtori i kompanisë shtetërore të shitjes së municioneve, Ylli Pinari ka dëshmuar sot para trupës gjykuese të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Në dëshminë e tij, ish-drejtori i "Meico" ka bërë me dije se se ishte Patrik Henri, personi që kishte krijuar në Shqipëri kompaninë e "Albademil", ndërsa shtoi se kompania që ai drejtonte nuk ka qenë e përfshirë. Gjithashtu Pinari përmendi edhe dënimin e tij me 5 vite burg.
"MEICO nuk është përfshirë në procesin e përcaktimit të Gërdecit si vend demontimit. Fillimisht kemi pasur komunikime me e-mail. Pas shkëmbimit të informacionit Patriku propozoi krijimin e një linje demontimi. Për këtë çështje kam bërë 5 vite burg dhe kam pikëpyetjet e mia për këtë,"-tha në fjalën e tij Ylli Pinari.
Patrik Henri, pronar i "SAC", ishte partner me Delijorgjin, i cili ishte pronar i "Alba Demil", ndërsa administrator ishte Dritan Minxholli. Në Gërdec, SAC merrej me demontimin, ndërsa Alba Demil me ngritjen e infrastrukturës dhe rekrutimin e punonjësve që punonin në fabrikë. Për tragjedinë e Gërdecit, Pinari u dënua me 15 vite burg nga Gjykata e Apelit të Tiranës, me një vendim të dhënë më 13 shkurt 2013, pasi sipas prokurorëve të Apelit, ai bashkë me Dritan Minxolli, Mihal Delijorgji, Sokol Ngjeçi kishin konsumuar veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”. Por duke qenë se Pinari kishte shlyer 2/3 e dënimit, atij iu aprovua lirimi me kusht, pasi mbrojtja e tij pretendonte se klienti vuante nga zemra, e po ashtu duhet të kujdesej për nënën e moshuar (asokohe 86 vjeç), e cila kishte mbetur e vetme pas divorcit të tij nga bashkëshortja./ZËRI