KORÇË- Një operacion policor për goditjen e transportit të paligjshëm të emigrantëve ka përfunduar me dy automjete të sekuestruara dhe dy persona të shpallur në kërkim pas një ndjekjeje që nisi në Kapshticë dhe përfundoi në territorin e Gramshit.
Ngjarja ka nisur pranë pikës kufitare të Kapshticës ku shërbimet e policisë kanë konstatuar dy automjete tip 'Audi Q7'. Sipas informacioneve paraprake, policia u ka bërë shenjë drejtuesve që të ndalonin, por ata nuk i janë bindur urdhrit dhe kanë vijuar me shpejtësi në drejtim të brendësisë së vendit.
Gjatë ndjekjes dyshohet se rreth 15 emigrantë janë zbritur pranë Lozhanit. Më pas dy automjetet kanë vijuar rrugën drejt Gramshit ku drejtuesit janë përballur me një tjetër postbllok policie.
Sipas të dhënave të deritanishme, në përpjekje për t’iu shmangur ndalimitautomjetet kanë përplasur dy makina të patrullave të policisë. Pas përplasjes drejtuesit kanë mundur të largohen nga vendi i ngjarjes.
Dy automjetet janë gjetur më vonë të braktisura në dy fshatra të Gramshit dhe janë sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë uniformat blu kanë identifikuar dy drejtuesit e dyshuar të mjeteve dhe i kanë shpallur në kërkim. Një person tjetër është proceduar në gjendje të lirë ndërsa vijojnë hetimet për të dokumentuar të gjithë skemën e transportimit të emigrantëve dhe për të përcaktuar rolin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Rreth 15 emigrantët e gjetur gjatë operacionit janë lokalizuar të fshehur në një përrua pranë Lozhanit në zonën e Maliqit.
Policia vijon kërkimet për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes./ZËRI