
TIRANË-Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Real Zefin dhe Korrado Katana, të akuzuar si persona të cilët kanë vendosur lëndë plasëse në zyrën e noteres Esmeralda Dautit. Korrado Katana ndryshe nga sa pati deklaruar para hetuesve kur u arrestua, në seancën e sotme gjyqësore mohoi të ketë lidhje me Real Zefin.
"Nuk kam lidhje me ngjarjen, as të kemi marrëdhënie të tillë me Real Zefin. Deklaratat i kam bërë nën presion dhe pa praninë e avokatit”, tha ai në seancë.
Ndërkohë Real Zefi përmes avokatit pranoi ligjshmërinë e ndalimit por jo vijimin e masës.
“Nuk mund të ketë një masë shtrënguese kaq të rëndë vetëm mbi thëniet e një personi, për më tepër kur ky shtetas ka ndryshuar qëndrim. Nuk provohet përfshirja në ngjarje dhe nuk është i arsyeshëm qëndrimi në burg. Kërkoj lirimin kjo edhe për shkak të rrethanave familjare. Ka një fëmijë të mitur vetëm 2-vjeç me probleme shëndetësore si dhe bashkëshorten po me probleme shëndetësore që kanë nevojë për përkujdes”.- tha Zefi.
Përveç Katanas dhe Zefit, në pranga ka përfunduar edhe shtetasi Eno Flamuraj, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë. Masa ndaj Flamurajt do të caktohet veçmas për shkak të veprës penale të mbështetjes së autorëve në krim.
Ngjarja ndodhi disa javë më parë në 30 janar, në rrugën “Perlat Rexhepi” në ish-Bllok në orët e para të mëngjesit. Si pasojë e shpërthimit në atë kohë u raportuan dëme materiale. Biznesi ku edhe u vendos lënda plasëse është në emër të Esmeralda Dauti./ZËRI