
ITALI- Sokol Sinomati, i njohur me nofkën buzëderri, i cili u ekstradua muajin e kaluar në Itali, është liruar nga qelia nga autoritetet atje. Për ish-anëtarin e bandave të Vlorës, autoritetet italiane kanë vendosur hetimin në gjendje të lirë. Ai mbahej në burg në Shqipëri, derisa përfitoi nga aministia në pranverën e këtij viti, për t’u arrestuar sërish, dhe ekstraduar drejt Italisë, ku kishte një dënim me 12 vite burg, për veprat penale “organizata kriminale” dhe “Trafikim ilegal i klandestineve”.
I njohur si ‘buzëderri’, Sinomati është babai i të riut Gëzim Sinimati, i cili u ekzekutua me snajper në muajin janar në Vlorë.
Sokol Sinomanti, i njohur ndryshe me nofkën ‘buzëderr’, ish- pjesëtar i bandës së Gaxhait gjatë trazirave të 97-s, i larguar nga Shqipëria në 2017-n, ndodhej në burg, pas arrestimit të tij në 2021 në Belgjikë, për çështje droge. Në fund të vitit 2022 ai u ekstradua në Tiranë, për një ngjarje në 2002-in në Skelë, ku i vrarë mbeti Elton Tato dhe u plagos Robert Boraku.
Ai gjithashtu ka qenë i dënuar për vrasjen e ndodhur në 3 janar të vitit 2000, ku gjatë një tentative për të ekzekutuar Sokol Nuho, por gabimisht qëlloi Luigj Xhafën, një kalimtar të rastit. Për shkak të këtyre hasmërive, atij iu vra djali, i cili ishte kthyer në Shqipëri për të kaluar festat e fundvitit. Por edhe pse kanë kaluar thuajse 7 muaj, nuk ka asnjë shenjë të autorëve të vrasjes së të riut.
Tashmë ai do të ndiqet në gjendje të lirë nga autoritete italiane./ZËRI