
DROPULL-Iu është dhënë lamtumira e fundit çiftit të të moshuarve, Kosta dhe Kleoniqi Ilia që u dhunuan për vdekje në shtëpinë e tyre në Dropull. Kosta dhe Kleoniqi Ilia u përcjellën për në banesën e fundit nga të afërmit e ardhur nga Greqia dhe bashkëfshatarët në Bodrisht të Dropullit, ndërsa në ceremoninë mortore ka marrë pjesë edhe vajza e tyre e birësuar që jetonte në Athinë.
Çifti jetonin vetëm dhe ishte shqetësimi i të motrës së 88-vjeçares që jetonte në Greqi, e cila zbuloi ngjarjen e rëndë. Ajo u shqetësua pasi dyshja nuk iu përgjigjën në telefon dhe njoftoi një nga fqinjet për të kontrolluar. Por burrë e grua, përkatësisht 84 dhe 88-vjeç, u gjetën pa jetë në banesë mëngjesin e së enjtes (2 prill) dhe janë varrosur së bashku në një varr te vetëm.
Vrasja mister
Kloeniqi Ilia u gjet e pajetë në dhomën e gjumit me shenja dhune në trup, ndërsa Kosta Ilia me plagë në kokë në oborrin e shtëpisë. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, duke parë se nuk ka pasur hyrje me dhunë në banesë, policia ka pretenduar se mund të ketë ndodhur një sherr mes tyre, edhe pse të dy ishin të moshuar, përkatësisht Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi, 88 vjeçe. Policia ka hedhur poshtë pistën e grabitjes pasi, nga këqyrja e vendit të ngjarjes, nuk janë konstatuar thyerje të dyerve apo dritareve, si dhe në brendësi të banesës nuk janë konstatuar shenja, që lihet të kuptohet se personi që ka hyrë ka pasur qëllim grabitjen e banesës.
Ndërkohë Policia e Gjirokastrës dyshon se çifti është vrarë me sende të forta nga persona që kanë hyrë në banesën e tyre. Policia ka në rrethin e të dyshuarve 3 persona për të cilët pritet përgjigjja e policisë shkencore që do të zbulojë nëse janë të implikuar. Konkretisht dy banorë të këtij fshati dhe një bari shtegtar i të imtave ndodhen në hetim. Po ashtu të shoqëruar për djeni të krimit janë edhe 12 persona. Megjithatë do të jetë ekspertiza e mjekësisë ligjore ajo që do të provojë përmes analizës së ADN nëse bëhet fjalë për ndonjë person të panjohur si autor i krimit apo është vrasje mes tyre.
/ZËRI