TIRANË- Nëse një person kërkon të heqë dorë ngaduhanpirja, thuajse të gjithë e orientojnë drejt cigares elektronike. Madje, metodat e reja të konsumit të duhanit, praktikohen kryesisht nga brezi i të rinjve e adoleshentëve, për të shmangur katranin.
Por, a është kjo mënyra më e sigurtë?
ZËRI ka pyetur të rinjtë në Tiranë, adoleshentë, prindër e mësues që në përgjigjet e tyre duket se nuk janë të mirëinformuar mbi atë që shkakton IQOS apo llojet e tjera të cigareve elektronike. Dhe në fakt, jo pa shkak, pasi promovimi që u bëhet është totalisht në kundërshti me realitetin.
Dhe kjo bën që thuajse në të gjitha shkollat, ose të paktën në Tiranë, ku aksesi është edhe më i lehtë, të konsumohen cigare elektronike. ZËRI ka mësuar që në shumë mbledhje me prindër në kryeqytet, mësuesit bëjnë apel për më shumë kontroll e më shumë sensibilizim të fëmijëve ndaj rrisqeve që po ekspozohen, pasi gjatë gjithë kohës sekuestrohen IQOS dhe vape që u gjenden në çanta.
Studimet tregojnë se në fakt ndryshon vetëm forma e konsumit të cigares, pasi dëmet duket se janë të njëjta, pavarësisht mendësisë se ajo që shkakton vdekje në fakt është katrani.
Sipas disa studimeve të kryera, rezulton se cigaret elektronike me përmbajtje nikotine rrisin në mënyrë akute efektin simpatikomimetik në zemër, por edhe siguria vaskulare e cigareve elektronike mbetet akoma për t’u vlerësuar. Si cigaret tradicionale ashtu edhe ato elektronike kanë efekte dhe ndikojnë në dëmtimet e enëve të gjakut nga duhanpirja.
Por, duke u fshehur pas idesë se cigaret elektronike kanë një rrezik më të ulët për shëndetin, krahasimisht me cigaret tradicionale, ato mund të shndërrojnë shumë të rinj në duhanpirës të rregullt, pasi njësoj si cigaret tradicionale, përbëjnë një burim të ri të varësisë ndaj nikotinës.
Studimi i publikuar në ERJ Open Research, revista kryesore me akses të hapur në mjekësinë respiratore, që krahason pajisjet e reja të duhanit me ngrohje, si IQOS, me cigaret e avullimit dhe ato tradicionale, tregon se të treja janë toksike për qelizat e mushkërive të njeriut. IQOS, e cila ngroh duhanin e ngurtë në vend të një lëngu elektronik, nuk është më pak toksik për qelizat sesa tymi i zakonshëm i cigares.
Studimi i drejtuar nga Dr Pawan Sharma, shton provat se këto pajisje më të reja elektronike të shpërndarjes së nikotinës mund të mos jenë një zëvendësues më i sigurt për pirjen e duhanit.
Sharma thekson se pirja e duhanit është shkaku kryesor i vdekjeve të parandalueshme edhe me futjen e cigareve elektronike në dekadën e fundit, trendi i marrjes së nikotinës nuk do të ngadalësohet në të ardhmen e afërt. Madje, nëse trendi aktual vazhdon, përdorimi i duhanit do të shkaktojë më shumë se tetë milionë vdekje në vit deri në vitin 2030 në mbarë botën.
Studiuesit kanë zbuluar se tymi i cigares dhe avujt e ndezur të duhanit janë shumë toksikë për qelizat si në përqendrime më të ulëta ashtu edhe më të larta, ndërsa avulli i cigareve elektronike demonstroi toksicitet kryesisht në përqendrime më të larta.
Profesorja Charlotta Pisinger, kryetare e Komitetit të Kontrollit të Duhanit të Shoqatës Evropiane të Frymëmarrjes është shprehur se këto pajisje të reja të duhanit me ngrohje tregtohen pasi prodhojnë 95% nivele më të ulëta të përbërjeve toksike, sepse duhani nxehet, nuk digjet. Megjithatë, studimet e para të pavarura kanë treguar se edhe gjatë djegies lëshohen gjithashtu komponimet toksike dhe kancerogjene.
Si përfundim, pranimi dhe tregtimi energjik i pajisjeve të reja është shumë joshëse për duhanpirësit që duan të lënë duhanin dhe gabimisht besojnë se mund të kalojnë në një produkt tjetër të padëmshëm të duhanit, por po ashtu hap një rrugë tjetër për të tërhequr të rinjtë që të përdorin dhe të bëhen të varur nga nikotina. Provat tregojnë se këto pajisje të reja nuk janë zëvendësues i sigurt për pirjen e duhanit, ashtu siç promovohet dhe fatkeqësisht 70% e rasteve të kancerit të mushkërive me këto ritme, do të shkaktohen nga pirja e duhanit, cilado qoftë metoda.
-
IQOS, trendi që po mbush gjimnazet e Tiranës
1 Maj, 13:32
