
TIRANË- Familjarë, miq e kolegë përcollën sot për në banesën e fundit një nga korifenjtë e kinematografisë shqiptare, Piro Milkanin. Nën kolonën zanore të një prej filmave të tij më të dashur, si për publikun, por edhe për të vetë për shkak të elementëve autobiografikë që përmbante, Trishtimi i Zonjës Shnajder, Milkani u përcoll me duartrokitje. Pa pengje! Të paktën kështu tregon djali i tij, gjithashtu regjisori, Eno Milkani.
Pas një betejë të gjatë me sëmundjen që i kishte kufizuar jetën aktive që bënte, Piro Milkani u largua i plotësuar.
“Mendoj që i ka arritur të gjitha në jetë sepse e quante veten një njeri me fat. Ndoshta një peng që i ka mbetur është që donte të shkruante një skenar për doktor Kristidhin që ishte gjyshi im, por edhe vjehrri i tij. Shikoj që vijnë shumë njerëz për të që as unë nuk i kam njohur më parë. Piro ka folur me filmat e tij në 60 vjet. E ndjente veten shumë të realizuar, sepse e thoshte e provoi skenari dhe aktrimin. Gjatë kësaj periudhe kishte ulje të rezistencës të organeve jetësore, por nuk e humbiste besimin thoshte do shërohem dhe kështu do të inkurajonim njëri-tjetrin. Në tre ditët e fundit reagonte shumë pak, derisa u shua dje. 'Zonja nga Qyteti' ka qenë një nga filmat e tij të preferuar. Mendonte që edhe të rinjve duhet tu jepet mundësi për të bërë filma, sepse vetëm duke e kultivuar mund ta mbash gjallë kinematografinë,"-tha në fjalët e fundit për të atin, Eno Milkani.
Piro Milkani lindi më 9 dhjetor 1939 në qytetin e Korçës. Ai kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, Çekosllovaki, ku u diplomua në degën e operatorisë filmike. Që prej kthimit të tij në Shqipëri, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kinemasë shqiptare. Gjatë karrierës së tij të gjatë, Milkani realizoi mbi 20 filma artistikë dhe dokumentarë, duke lënë gjurmë të thella me vepra si "Kur zbardhi një ditë" (1971), "Zonja nga qyteti" (1976), "Ballë për ballë" (1979), "Militanti" (1984) dhe "Ngjyrat e moshës" (1990). Ai kontribuoi jo vetëm si regjisor, por edhe si skenarist, operator dhe producent.
Veprat artistike si regjizor
2012 Kryekenga e Kombit. Producent. Regjia Petrit Ruka.
2008 Smutek paní Snajdrové (Trishtimi i zonjës Shnajder)
1990 Ngjyrat e moshës
1988 Pranvera s'erdhi vetëm
1987 Eja!
1985 Në prag të jetës
1984 Militanti
1983 Fraktura
1982 Besa e kuqe
1981 Në kufi të dy legjendave
1980 Një shoqe nga fshati
1979 Ballë për ballë
1977 Shëmbja e idhujve
1976 Zonja nga qyteti
1975 Çifti i lumtur
1974 Shtigje lufte
1974 Një firmë e hekurt (dokumentar)
1973 Festë e madhe (dokumentar)
1971 Kur zbardhi një ditë
1969 Përse bie kjo daulle
1969 Festivali 7-te i femijeve (dokumentar)
1968 Fitues
1967 Gadhnjim mbi vdekjen
Por ai ka interpretuar edhe si aktor në këto filma të huaj: - ...kai to treno paei ston ourano (2001), film grek; - Lamerica (1994), Selimi, film italian; - Srpnová nedele (1961), film çekosllovak.
Për kontributin e tij të shquar, në vitin 1987 u nderua me titullin “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1997 mori “Çmimin e Veçantë” për krijimtarinë e tij në Euro-Festivalin e Saint-Étienne në Francë. Për Shqipërinë, Piro Milkani do të kujtohet si një prej themeluesve dhe përfaqësuesve më të denjë të artit filmik shqiptar, një krijues që i dha shpirt dhe identitet kinemasë shqiptare ndër dekada.
Por një tjetër detaj që do të mbesë gjatë në kujtesën e shqiptarëve është edhe është “pajtimi” i shumëpritur Kadare-Agolli. Si regjisori (bashkë me të birin) i dokumentarit "Kadare”, Piro Milkani ia doli që t'i bënte edhe njëherë bashkë.
“Kohët erdhën të tilla që mbas vitit '92, Kadareja dhe Agolli nuk takoheshin. Gjatë xhirimit tim të ngadaltë, një ditë i thashë Kadaresë: “Ismail këtë film se imagjinoj dot sikur të mos jetë edhe figura e Agollit”. Janë të dy kolosë, bashkudhëtarë, që kanë qenë miq. Po të lexoni “Dosjen e Kadaresë”, nuk gjeni asnjë fjalë të mbrapsht të Ismailit ndaj Agollit, apo të Agollit ndaj Kadaresë. U mendua e tha: “Ndoshta nuk do Dritëroi”. E takova Dritëroin, edhe tha: “Po”. Kështu e bëmë. Dritëroi kishte shumë emocione. Në këtë film përdora një të tretat, ndërsa dy të tretat i përdora në filmin “Dritëro Agollit”,"-tregonte ai me krenari.
Por mosha dhe sëmundja, e larguan pak nga pak nga drita e skenave dhe njerëzit. “Ngadhnjim mbi vdekjen” ishte filmi i fundit që e solli në kinema Piro Milkanin. Ai pa edhe njëherë filmin e tij të parë, kësaj here të rijetëzuar dhe të përjetësuar. Ashtu siç do të mbetet gjithmonë vepra e tij./ZËRI