
FIER- Policia ka arrestuar edhe autorin e dytë të ngjarjes së Fierit paraditen e sotme, ku babë e bir tentuan të vrisnin me sëpatë një person. Për ngjarjen e ndodhur, uniformat blu kanë vendosur në pranga Ndue Palucën, i cili ishte duke tentuar që të arratisej për në Greqi. Policia bën me dije se pas disa orë kërkimesh të pandërprera, kanë marrë informacion se autori po largohej në drejtim të Sarandës, e më pas do të humbte gjurmët në vendin fqinjë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Fier
Kapet duke tentuar të largohej për në shtetin Grek, autori tjetër i ngjarjes së ndodhur në fshatin Shtyllas, ku babë e bir tentuan të vrisnin shtetasin Ll. M. Pas disa orë kërkimesh të pandërprera, shërbimet e Komisariatit dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, kanë marrë informacion se autori po largohej në drejtim të Sarandës. Forcat operacionale të Komisariatit të Policisë Fier janë vënë në ndjekje të tij dhe në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë bënë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim N. P., 40 vjeç, në momentin që do hipte në autobusin e Konispolit, me qëllim që të largohej për në Greqi. Në vijim të veprimeve procedurale u bë ndalimi i këtij shtetasi për veprën penale "Vrasja me paramendim", e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Paraditen e sotme, dy persona, babë e bir, paraditen e së shtunës kanë plagosur me sëpatë një 58-vjeçar pas një konflikti për motive të dobëta. Pas konfliktit u vendos në pranga Pashuk Palucën. Ndërsa i biri u vendos në pranga pak muaj më vonë. Sa i përket të lënduarit, Llesh Marku, ky i fundit ndodhet ende në spital, por nuk dihen detaje lidhur me gjendjen e tij shëndetësore./ZËRI