
TIRANË- Në mesin e një morie akuzash që SPAK ka ngritur në drejtim të ish-ministrit Ilir Beqaj, është dhe ajo për fshehjen e pasurisë, fillimisht për restorantin Gzona në zonën e Kalasë së Tiranës, dhe më pas për pronësinë e një makine, që rezultonte në emër të Ermal Kurtulajt, levës së preferuar të tij.
“Personi nën hetim I. B. dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin “G…..” me adresë pranë Kalasë Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë personi nën hetim I. B., i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un.
Personi nën hetim I.B. dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110 lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet personit nën hetim E. K., i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore.
Personi nën hetim I.B. ka fshehur edhe pasurinë e luajtshme automjet me targë AB ….. DE blerë në vitin 06.09.2019, në emër të personit nën hetim E. K”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Edhe pse nën hetim nga SPAK, Ilir Beqaj, shëtiste lirshëm me makinën Tuareg, në pronësi të Kurtulajt, të cilin e cilësonte si mikun e tij. I pyetur nga gazetarët, në një prej shumë ecejakeve në dyert e SPAK, Beqaj dha një alibi të dobët, kur tha se lëvizte me makinën e mikut të tij, për shkak se nuk kishte patentë.
“Edhe sot u paraqita në SPAK në cilësinë e personit nën hetim për çështjen e sterilizimit. u mora në pyetje nga hetuesi. Sot kishim pyetjet për sterilizimit. Diskutuam për gazin dhe aneksin 8, madje për aneksin 8 në një pjesë shumë të plotë sepse e dini që lidhet me këtë çështje është pjesë e dokumentave standarde. Ndërkohë siç edhe mund ta shihni edhe sot kam ardhur me ndihmën e avokatit. Me automjetin luksoz "Tuareg". Prapë jemi gjobitur? Atëherë lidhja me Ermalin ua kam thënë prej kohësh... Ka një arsye shumë të thjeshtë pse vij me automjetin e të tjerëve dhe jo me timin. Unë nuk di ti jap makinës, nuk kam pasur kurrë dëshmi drejtimi”, deklaronte pak muaj më parë Beqaj./ZËRI