Aktualitet

Vakancat në Kushtetuese, KED ndalon kandidimin e Lulzim Hamitajt; Llagami dhe Daci vijojnë garën

Dy vakancat janë krijuar pas dorëheqjes së Elsa Toskës dhe përfundimit të mandatit të Sonila Bejtës.

M.K.
Vakancat në Kushtetuese, KED ndalon kandidimin e Lulzim Hamitajt; Llagami
Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese

TIRANË- Procesi për plotësimin e dy vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese ka hyrë në fazën e verifikimit të kandidaturave. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka përfunduar shqyrtimin e dokumentacionit për disa prej kandidatëve, duke lejuar vijimin e garës për Naureda Llagamin dhe Jordan Dacin.

Ndërkohë KED ka vendosur të ndalojë kandidimin e ish-komisionerit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Lulzim Hamitaj. Për kandidaturat e tjera procesi i verifikimit vijon ende.

Dy vakancat janë krijuar pas dorëheqjes së Elsa Toskës dhe përfundimit të mandatit të Sonila Bejtës. Pas përfundimit të verifikimit dhe renditjes së kandidatëve listat do t’u përcillen institucioneve përkatëse për vijimin e procedurave të përzgjedhjes.

Njoftimi i KED:

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij dhe të përfaqësuesve nga subjektet e ftuara sipas pikës 2 të nenit 233 të ligjit nr. 115/2016, zhvilloi ditën e hënë, datë 21.09.2026, mbledhjen e radhës, sipas rendit të ditës të bërë publik në njoftimin e datës 16.09.2026.

KED, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave si edhe dokumentacionin e përgatitur nga relatorët lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidatët, vendosi:

Në lidhje me kandidaturën e z. Roland Ilia, KED shtyu diskutimin, për të kërkuar dokumentacion sqarues lidhur me vlerësimin e kandidatit.

Lejimin e kandidimit të zj. Naureda Llagami, e cila ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë më datën 31.10.2025.

Lejimin e kandidimit të zj. Naureda Llagami, e cila ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datën 10.12.2025.

Lejimin e kandidimit të z. Jordan Daci, i cili ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datën 10.12.2025.

Lejimin e kandidimit të z. Jordan Daci, i cili ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë më datën 31.10.2025.

Ndalimin e kandidimit të z. Lulzim Hamitaj, i cili ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datën 10.12.2025. Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë se 5 ditë nga dita e njoftimit të arsyetuar.

Ndalimin e kandidimit të z. Lulzim Hamitaj, i cili ka konkuruar për vendin vakant për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë më datën 31.10.2025. Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë se 5 ditë nga dita e njoftimit të arsyetuar.

Në lidhje me kandidaturën e zj. Helena Papa, KED shtyu diskutimin, për të kërkuar dokumentacion sqarues lidhur me vlerësimin e kandidatit.

Vijimin e diskutimit për kandidaturën e z. Alban Toro në mbledhjen e datës 23 shtator 2026.

Vendimet e plota dhe të zbardhura do të publikohen të arsyetuara në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në rubrikën dedikuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi./ZËRI

Poll

MOS HUMB