
KOSOVË-"Vrasësit e Liridonës kanë ngrënë bukë në shtëpinë tonë", kështu shprehet Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, të vrarë mbrëmjen 29 nëntorit nga Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, me urdhër të burrit të saj Naim Murseli. Vëllai i të ndjerës ka treguar se shkak për vrasjen e Liridonës mund të jetë bërë sigurimi i saj jetësor në Suedi, kjo pasi sipas tij, Naimi kishte shumë shpenzime. Ndërsa për vrarësit e të motrës, në një intervistë për "NeWs 24" ai thotë se kanë ngrënë bukë në shtëpinë e tij, njëri prej tyre dhe kishte fjetur aty. Ndërsa për fëmijët ai tha se ndodhën me gjyshërit e tyre (Prindërit e Naim Murselit).
Pjesë nga intervista:
Leonard Ademaj: Pasi mbërritëm në shtëpinë tonë këtu, babai tha se nuk duhet të shkojmë atje. Babai tha se nëse Naimi do ishte burrë do e kishte mbrojtur Liridonën. Pas pak minutash doli në lajme se Naim Murseli ishte arrestuar. Kishin 13 vjet martesë. Në Suedi Liridona ka kryer një shkollë, më pas ka punuar me të moshuarit deri sa hapën biznesin e tyre të pastrimit. Liridona ka qenë shumë e lumtur, nuk ka pasur diçka në këto vite martesë. Nuk kemi dijeni që ka pasur një proces divorci mes tyre, nuk është e vërtetë.
Pyetje: Cili mendoni se ka qenë motivi i Naimit për këtë akt të rëndë?
Leonard Ademaj: Tani mund të kemi shumë mendime se përse e ka bërë atë akt Naimi. Mendimet tona janë se Naimi që kur është kthyer ka pasur shpenzime dhe motra jonë kishte një siguracion të madh në Suedi dhe mos ndoshta ai ka menduar ta vriste dhe të merrte një shumë të konsiderueshme të parave. Mendojmë se ai ka qenë qëllimi kryesor dhe pse mund të ketë pasur qëllime të tjera.
Pyetje: A i njihni vrasësit e Liridonës?
Leonard Ademaj: Vrasësin e njohim pak, nuk kemi pasur biseda me të, ndërsa personin bashkëpunëtor e njohim personalisht. Ka qenë tek ne disa herë, ka ngrënë bukë në shtëpinë tonë dhe ka fjetur në shtëpinë tonë. E njohim shumë mirë.
Pyetje: Ku ndodhen fëmijët e Liridonës në këto momente?
Leonard Ademaj:Fëmijët e Liridonës janë në shtëpinë e gjyshërve të tyre, prindërve të Naimit. Atje po kujdesen për ta.
Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si grabitje, por pas 48 orëve u zbulua se urdhri për ekzekutimin e të resë ishte dhënë nga vetë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ai e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur. Në pranga ka rënë dhe Kushtrim Kokalla, i afërm i Murselit që akuzohet si bashkëpunëtor në krim./ZËRI