
TIRANË- Protagonistja e video-skandalit të ish-kryebashkiakut të Kukësit, Alma Kaçi tha se ajo edhe Safet Gjici janë të pafajshëm. Lidhur me videon, në një bisedë telefonike për emisionin “Review” tha se akuzat e ngritura nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ishin të pabazuara.
Kaçi pretendon se për akuzat e ngritura, ata janë të pafajshëm, pasi korrupsion nuk ka pasur.
“Përderisa kanë dalë akuzat “korruspion aktiv”, “korruspsion pasiv” edhe unë edhe zoti Gjici jemi të pafajshëm. Këtu nuk ka korruspion. Në kuadër të fjalës është e pamundur të ndërtohet një akuzë. Ajo ka qenë një bisedë. Nuk është dorëzuar asnjë projekt. Nuk është dhënë e nuk është marrë asnjë fond. Normalisht edhe ai edhe unë jemi të pafajshëm. Abuzimi me detyrën ëhstë tjetër, por për këto akuza jemi të pafajshëm,”-tha në fjalën e saj Alma Kaçi.
Alma Kaçi u bë e njohur pas videoskandalit me ish-kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici në zyrën e këtij të fundit. Kaçi u fut në zyrën e Gjicit me një kamera të fshehtë me pretendimin për të përfituar një tender për sterilizimin e qenëve të rrugës por synimi sipas saj ishte demaskimi i figurës së Safet Gjicit.
Në video, shfaqej Gjici duke kryer marrëdhënie seksuale me Alma Kaçin. Publikimi i videos nuk i kushtoi Gjicit vetëm lënien e mandatit por dhe burgun, pasi po përballet me drejtësinë për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë Kaçi është lënë në arrest shtëpie. Të dy kanë kërkuar në apelin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizaur masë më të butë sigurie por deri më tani, kërkesat e tyre janë refuzuar./ZËRI