
VLORË- Një ngjarje e rëndë është parandaluar në Vlorë, qytet që së fundmi duket se nuk po gjen 'qetësi' për shkak të krimit të organizuar. Mëngjesin e sotëm, janë kapur 4 mina me telekomandë, të cilat ende nuk dihen se nga kush ishin porositur. Në pranga ka përfunduar 51-vjeçari Petrit Ndoj, banues në Lezhë, i cili kishte marrë përsipër për të kryer rrugën e gjatë për të dërguar "porosinë". Teksa ndan pamjet e aksionit të zhvilluar nga "Operacionalja", Policia e Shtetit bën gjithashtu me dije se fillimisht pas marrjes së informacioneve që në Vlorë po hynin disa kallëpe lëndë plasëse, u ushtruan kontrolle në mjetin tip “Ford Fiesta”, që drejtonte i arrestuari.
"Gjatë kontrollit të imtësishëm, në kroskotin e këtij automjeti, u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 4 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C4, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale,"-shkruhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë së Shtetit. Ndërsa "off-record" bëjnë me dije se ishin të porositura për ngjarje kriminale.
Megjithatë, duket se kjo ngjarje nuk është e shkëputur, pasi një muaj më parë, po në Vlorë u arrestuan Fatjon dhe Ergys Gjonaj, përkatësisht 33 dhe 19 vjeç. Njëjtë si Ndoj, edhe xhaxha dhe nip u prangosën në hyrje të qytetit të Vlorës, teksa po lëviznin me dy mina me telekomandë me vete. Edhe në këtë rast ishte përdorur e njëjta skemë, pasi minat gjithashtu ishin fshehur në kroskotin e makinës me të cilën po lëviznin. Gjithsej gjatë operacioneve “Knock Out”, “Knock Out 2” dhe "Knock Out 3" janë kapur 9 mina, por nuk është zbuluar se kush është 'prodhuesi' dhe porositësi i tyre.
Ndërkohë që vetëm pak ditë më parë, Vlora u trondit edhe nga një vrasje. Më 10 shtator, Laertjad Kekaj ishte duke lëvizur me motoçikletë kur në drejtim të tij u zbraz breshëri kallashnikovi dhe pistoletë me silenciator nga xhami i pasmë dhe sedilja e parë e një makine tip “Audi” me ngjyrë të zezë. Mjet, i cili ashtu siç ndodh në çdo vrasje mafioze në vend, u gjet i djegur në periferi të qytetit. Për këtë ngjarje, në të cilën dëshmitarët kanë bërë me dije se kanë parë 3 persona, nuk ka ende asnjë të dyshuar, e po ashtu mbetet i paqartë shkaku i këtij ekzekutimi, por një nga pistat është ajo e hakmarrjes.
Viktima mësohet se në të kaluarën ka pasur konflikte dhe rezulton me precedent të theksuar kriminal. Po ashtu, gjatë verës në pranga u vendos edhe Amarildo Nikolli, 35-vjeçari nga Shkodra që kishte shkuar në Vlorë për të kryer vrasje në afërsi të komplesit "Oslo". Sipas dosjes hetimore, ai kishte shkuar në një zonë ku vepron grupi i Edison Harizajt, ndërsa shënjestra besohej se ishte Inez Hajrulla. Duke marrë parasysh vazhdën të gjitha ngjarjeve të fundit kriminale, duket se 'përplasja' mes grupeve ka nisur në qytetin e Vlorës.