TIRANË- Prokuroria e Posaçme po heton një vilë në pronësi të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, me vlerë rreth 145 mijë euro, e ndodhur në fshatin turistik të Dhërmiut, në resortin “ëhite Rocks”.
Hetimet kanë nxjerrë detaje të reja lidhur me këtë çështje, ndërsa ndaj ish-zv.kryeministres janë shtuar edhe dy akuza të tjera, ajo e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Dëshmia e Saimir Kadillit, sipas burimeve, menaxher shitjesh në kompaninë “Brunes” sh.a, ka sjellë detaje të reja për hetuesit. Ai ka dhënë deklarime para autoriteteve lidhur me njohjen dhe komunikimet me shtetasin Julian Kelo. Ky i fundit, ish-vartës dhe person i afërt me Ballukun.
Porosia e materaleve
Në dëshmi, Kadilli ka folur për një porosi të konsiderueshme materialesh ndërtimi për një pishinë në një vilë në kompleksin e ndërtuar nga Pandeli Carapuli në Dhërmi. Ai ka deklaruar se informacioni për destinacionin e projektit i ishte komunikuar nga vetë Kelo.
Blerja është realizuar përmes disa faturave të lëshuara në qershor 2020, ku si subjekt blerës figuron shoqëria “Albanian Facility Management” sh.p.k, ndërsa mallrat janë dërguar në Dhërmi dhe Palasë. Sipas tij, faturat lidhen me porosinë e bërë për ndërtimin e pishinës.
Sipas tij, fillimisht është bërë një fletëporosi përmes email-it të punës, megjithatë ai thekson se produktet në fletëporosi mund të kenë ndryshuar në raport me ato të dorëzuara përfundimisht, në varësi të kërkesave të klientit dhe stokut të disponueshëm.
Takimi Kadilli-Kelo
Ndërkohë, një takim mes tyre, është një tjetër pjesë e rëndësishme e dëshmisë. Sipas menaxherit, ai është takuar për herë të fundit me Julian Kelon rreth dy javë më parë në ambientet e shoqërisë në autodstradën Tiranë-Durrës. Gjatë këtij takimi, mësohet se Kelo ka kërkuar sqarime për blerje të kryera në emër të tij dhe për komunikimet e mëparshme lidhur me porositë e pishinës.
Por, gjatë kontrollit të komunikimeve, siç ka deklaruar vetë menaxheri, ky i fundit nuk kishte mesazhe të ruajtura në telefon për shkak të kalimit të kohës dhe ndërrimit të pajisjeve, ndërsa në email është konstatuar një komunikim i lidhur me fletëporosinë fillestare.
Sipas dëshmisë, kur ky email është rishikuar në prani të Kelos, ky i fundit ka kërkuar fshirjen e tij, kërkesë e cila nuk është pranuar nga menaxheri, i cili ka sqaruar se nuk kishte akses për fshirje dhe se çdo transaksion mbetet i dokumentuar në faturat tatimore.
Pas këtij momenti, sipas deklarimeve, Kelo është larguar nga ambientet e kompanisë.
Me një vendim të datës 4 qershorit, Prokuroria e Posaçme shtoi dy akuza të reja për ish-numrin dy të qeverisë, Belinda Balluku, e cila është zyrtarisht nën hetim edhe për korrupsion pasiv e pastrim parash, jo vetëm e pandehur për shpërdorim detyre.
Hetimet kanë çuar në sekuestrimin e një vile të Belinda Ballukut me vlerë 145 mijë euro në fshatin turistik të Dhërmiut, në resortin turistik “White Rocks”. Vila dyshohet se ishte fshehur në emër të ish-futbollistit të kombëtares, Igli Tare, i cili po ashtu është marrë sot në pyetje nga SPAK.
Sipas SPAK, kjo pasuri lidhet me një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Albcontrol, ku dyshohet se janë krijuar avantazhe të padrejta për kompaninë fituese “Eurocol” sh.p.k. Hetimet tregojnë se favorizimi ka vijuar edhe pas shpalljes së fituesit, përmes parapagimeve dhe mënyrës së zbatimit të kontratës.
Prokuroria pretendon se, në këmbim të këtij favorizimi, Balluku ka kërkuar dhe përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 145 mijë eurosh, që sipas kontratës së porosisë përkon me vilën e sekuestruar./ZËRI