
TIRANË-Në vendin tonë janë konfirmuar 17 raste të virusit të Nilit Perëndimor, 'Ethet e Nilit'. Ministria e Shëndetësisë ka reaguar duke i bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë, por vigjilentë. Sa i përket simptomave, shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino njofton se 80% e njerëzve të infektuar nuk shfaqin simptoma, ndërsa 20% përjetojnë ethe dhe dhimbje.
“Qëndroni të qetë, por vigjilentë. Rritni ndërgjegjësimin dhe zbatoni masat mbrojtëse. Infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht nga pickimet e mushkonjave të infektuara. 80% e njerëzve të infektuar nuk shfaqin simptoma, ndërsa 20% përjetojnë ethe dhe dhimbje. Vetëm 1% zhvillojnë forma të rënda. MSHMS sëbashku me ISHP dhe Operatorin e Kujdesit Shëndetësor ka marrë masat duke kryer procesin e dezinsektimit dhe kryen monitorimin etomologjik periodik në të gjithë vendin. Megjithatë ky proces nuk mund ti zhduki të gjithë mushkonjat, prandaj është e nevojshme që edhe vetë çdo individ të marri masa paraprake. Pra në qoftë se rri gjatë mbrëmjes kur këto janë më aktive të përdori elementë, pomada apo lëngje që largojnë mushkonja apo të rrijnë me bluza të lehta me mëngë të gjata. Më e rëndësishme që çdo individ apo çdo biznes duhet të pastrojë mbeturinat apo plehrat, të cilat janë përthithës të këtyre mushkonjave. Mbroni veten dhe familjen tuaj!”-shprehet Bino.
Ethet e Nilit u rikthyen në vendin tonë pas 13 vjetësh duke shkaktuar deri tani 3 të vdekur dhe 17 të infektuar. Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje virale që shkaktohet nga virusi i Nilit Perëndimor; emri i së cilës rrjedh nga dega e Nilit Perëndimor në Ugandë, dhe për herë të parë është diagnostikuar në 1937 te një grua që vuante nga një temperaturë shumë e lartë. Sëmundja tipike e kontinentit të Afrikës, po përhapet edhe në pjesët e tjera të botës, siç tregojnë edhe rastet e personave të prekur në vendet e Ballkanit gjatë muajit Gusht./ZËRI