
ITALI- Është arrestuar në Bari i shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare Agron Tufa, i cili ka një dënim me 30 vite burg për vrasjen dhe fshehjen e kufomës së Kejsi Hysës në zonën e Niklës.
Tufa është dënuar në mungesë në vitin 2021. Masakrimi i Kejsi Hysës dhe fshehja e kufomës në afërsi të Niklës ndodhi për shkak të pazareve të kanabisit.
Në lidhje me vrasjen e të riut në Nikël, është vetëdorëzuar më herët në polici dhe i dyshuari tjetër, Hysni Ramaj. Në dëshminë e tij dhënë për hetuesit, Ramaj ka folur për një sasi droge që ishte zhdukur.
Viktima kishte kërkuar paratë, nga dy personat që iu kishte besuar ngarkesën, dhe pas konflikteve, ata e vranë Hysën dhe më pas i vodhën dhe varësen e floririt dhe orën Rolex që ai mbante në dorë.
Vetë Hysni Ramaj ka pranuar akuzat, dhe përfitoi ulje dënimi, duke qenë se përfitoi nga gjykimi i shkurtuar nga 30 në 20 vite burg.
NJOFTIMI I POLICISË PËR ARRESTIMIN E TUFËS:
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme në bashkëpunim me partnerët, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet nga Policia e Shtetit dhe Policia italiane, operacioni policor i koduar “Informacioni”.
Kapet në Bari, Itali, një shtetas i kërkuar ndërkombëtarisht, i dënuar me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje.
Në vijim të punës gjurmuese me qëllim sigurimin e informacioneve për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale, Drejtoria për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit siguroi informacion në lidhje me vendndodhjen e saktë në Bari të Italisë, të shtetasit në kërkim ndërkombëtar Agron Tufa, i dënuar nga Gjykata e Krujës, me 30 vjet burgim.
Informacioni i siguruar nga Drejtoria për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit është shkëmbyer në kohë reale nëpërmjet Interpol Tiranës me Interpol Romën dhe falë këtij informacioni Policia italiane në kuadër të operacionit "Informacioni", kapi në Bari, Itali dhe arrestoi me qëllim ekstradimi shtetasin e kërkuar Agron Tufa.
Në vitin 2021, Gjykata e Krujës e ka dënuar këtë shtetas, me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje.
Shtetasi Agron Tufa, në bashkëpunim me shtetasin H. R., ka vrarë me armë zjarri në Nikël, Krujë, shtetasin K. H., dhe më pas e kanë djegur trupin e tij.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në vendin tonë.
Kush është Kejsi Hysa?
Kejsi Hysa është ekzekutuar në korrik të vitit 2018. Ai njihej në Krujë si fajdexhi, pasi jepte borxh në kërkim të interesit. 34-vjeçari që gjykohej në Sarandë për akuzën e vrasjes, dhe ishte në kërkim, qëndronte i lirë në këtë zonë në Krujë që sipas Prokurorisë ai kryente aktivitet kriminal në fushën e tregtimit të drogës dhe administronte një lokal, të quajtur bar “Nikla”.
Pikërisht në këtë lokal është njohur dhe me Hysni Ramën, me të cilin kishte krijuar një marrëdhënie të ngushtë dhe besim shoqëror, duke i dhënë herë pas here sasi droge për ta mbajtur në ruajtje në banesën e tij. Për këtë shërbim, Hysni Ramën e paguante 100 deri në 200 euro. Por hera e fundit që i ka dhënë 50 kg drogë për ruajte, nuk ka qenë e suksesshme, dhe lënda narkotike ishte 'zhdukur'.
Fill pas kësaj ai i ka kërkuar llogari Tufës dhe Ramajt, të cilët më pas e kanë vrarë, duke tentuar që t’i fshehin dhe kufomën. /ZËRI