Aktualitet

E ‘vrau’ burri, TikTok apo koleget? Të gjitha pistat për humbjen e Bedries! Në Tiranë mbahet protestë

Mbrëmjen e djeshme në redaksinë e ZËRIT erdhën informacione të ndryshme, se ndaj Bedries ishte ushtruar dhunë, dhe se makthi i vërtetë kishte nisur pas kthimit të bashkëshortit nga emigracioni

E.K
E ‘vrau’ burri, TikTok apo koleget? Të gjitha pistat për
Bedrie Loka

TIRANË- Kur kanë kaluar 3 ditë nga vetëvrasja e 41-vjeçares Bedrie Loka në Durrës, nënë e katër fëmijëve, të gjitha pistat për shkaqet janë në tavolinë, ndërkohë që gjatë ditës së sotme në Tiranë është thirrur një protestë.

Ngjarja u bë mediatike pas denoncimeve të një prej ish-kolegëve të saj, që shprehej se vetëvrasja ishte shtyrë për shkak të bullizimit që nëna e 4 fëmijëve kishte ndeshur një rrjetet sociale, ku i ishin hapur profile fallso. Kjo dëshmi do të përforcohej dhe nga familjarët e saj, në këtë rast bashkëshorti, i cili madje drejtoi gishtin dhe për të gjetur përgjegjësen e hapjes së këtyre profileve të rreme, që sipas tij kishte qenë kushërira e parë e të ndjerës.

Denoncimi dhe kallëzimi për hapjen e profileve të rreme ishte bërë që në fundin e vitit 2022, pra rreth dy vite më parë, ndërkohë që policia dhe prokuroria e Durrësit nuk kishin lëvizur asnjë gurë, të paktën në mbylljen e këtyre adresave, që deri dy ditë më parë ishin aktive në tik tok. Aty nuk kishte asgjë kompromentuese për të ndjerën, përveçse fjalëve fyese që përdoreshin në mbishkrime.

Por me kalimin e orëve në redaksinë e ZËRIT filluan të vinin indicie të ndryshme, se Tiktoku në fakt mund të ketë shërbyer si pikënisje e konflikteve dhe presionit në familje për Bedrien, që dy vitet e fundit i ishin kthyer në një makth, aq sa i dha fund jetës në të njëjtën ditë kur vajza e saj do të duhej të festonte ditëlindjen. Një urim të fundit e kishte marrë nga nëna e saj.

Burime të ndryshme i thanë ZËRIT se makthi i vërtetë për 41 vjeçaren kishte nisur pas kthimit të burrit nga emigracioni, i cili dyshohet se ushtronte dhunë ndaj saj. Sipas dëshmisë së mbërritur në redaksi, e ndjera ka pasur shenja të dhunës në trup, edhe ditën kur është varrosur. Dhe në këtë pikë misteri sa vjen e shtohet. A përdori bashkëshorti i saj pistën e TikTok për të fshehur dhunën me të cilën është përballur e ndjera? Për këtë Policia e Durrësit ka bërë shoqërimin e tij për në komisariat, por pa bërë me dije zyrtarisht nëse ndaj tij do të ngrihet një akuzë.

Megjithë skenaret që mund të kenë çuar në vetëvrasjen e Bedries, duke lënë pas katër fëmijët e saj, më i madhi 22 dhe më e vogla 9 vjeç, protesta e sotme qëndron. Viktimat e bullizmit, dhe veçanërisht atij në rrjetet sociale janë duke u shtuar çdo ditë, ndërsa vrasësit që fshihen pas tastierave të kompjuterve apo telefonave janë me qindra, për të mos thënë me mijëra. Protesta do të mbahet në orën 11:30 në sheshin Nënë Tereza, për të qenë ‘Bashkë kundër bullizmit’, dhe për ti dhënë krahë kujtdo për të luftuar për të drejtat e tij. /ZËRI

Poll

MOS HUMB