Aktualitet

Vrasja e 20-vjeçarit në Ksamil, zbardhet dëshmia e shokëve: U përfshi për të ndalur sherrin

Sipas dëshmive të shokëve të viktimës, përplasja ka nisur pas një debati që lidhej me ngacmimin e një vajze brenda ambienteve të kompleksit “Principote”.

M.K.
Vrasja e 20-vjeçarit në Ksamil, zbardhet dëshmia e
foto

SARANDË- Hetimet për vrasjen e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil vijojnë, ndërsa dëshmitë e personave që ndodheshin në vendngjarje po ndihmojnë grupin hetimor për të rindërtuar dinamikën e konfliktit.

Sipas dëshmive të shokëve të viktimës, përplasja ka nisur pas një debati që lidhej me ngacmimin e një vajze brenda ambienteve të kompleksit “Principote”. Situata më pas është përshkallëzuar në konflikt fizik, duke bërë që punonjësit e sigurisë të ndërhynin për të ndarë personat.

Në këtë moment, 20-vjeçari portugez dyshohet se është përpjekur të ndërhyjë për të qetësuar situatën. Por konflikti ka përfunduar në mënyrë tragjike, pasi Mendes është goditur me thikë dhe ka humbur jetën.

“Sherri nisi për ngacmimin e një vajze. Viktima u fut për të shuar konfliktin”, mësohet të kenë deklaruar shokët e të riut para hetuesve.

Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe dy shtetas turq, të cilët u ndaluan së bashku me 29-vjeçarin Sokrat Vata, i arrestuar si i dyshuar për ngjarjen.

Dy shtetasit turq kanë mohuar të kenë pasur dijeni për vrasjen. Ata kanë deklaruar se e njihnin Vatën prej kohësh, pasi frekuentonin rregullisht kompleksin dhe kishin krijuar marrëdhënie shoqërore me të.

Sipas dëshmisë së tyre, Vata ofronte shërbime sigurie dhe shoqërimi personal dhe ata e kishin marrë me vete pas konfliktit, duke pretenduar se vepruan për shkak të marrëdhënies së tyre shoqërore.

Ndërkohë, 29-vjeçari Sokrat Vata ka zgjedhur të mos japë dëshmi para hetuesve.

Policia dhe grupi hetimor po vijojnë punën për të zbardhur të plotë dinamikën e ngjarjes, duke verifikuar momentin e konfliktit, autorin e goditjes me thikë dhe nëse persona të tjerë kanë pasur rol në ngjarjen tragjike./ZËRI

Poll

MOS HUMB