Aktualitet

'21 Janari'/ SPAK nis hetimin pas urdhrit të Gjykatës së Lartë, në verifikim roli i Berishës dhe Bashës (AKUZAT)

Ashtu siç u udhëzua edhe nga Gjykata e Lartë, hetimi që do të kryhet nga SPAK duhet që të zbardhë rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha; ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, Ndrea Prendit dhe të tjerëve të përfshirë në vrasjen e 4 protestuesve në bulevard. 

k.m.
'21 Janari'/ SPAK nis hetimin pas urdhrit të Gjykatës
Foto ilustruese

TIRANË- Gjykata e Lartë vendosi, ndaj sot Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur zyrtarisht hetimet për çështjen e "21 janarit". Ashtu siç u udhëzua edhe nga Gjykata e Lartë, hetimi që do të kryhet nga SPAK duhet që të zbardhë rolin e ish-kryeministrit Sali Berisha; ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, Ndrea Prendit dhe të tjerëve të përfshirë në vrasjen e 4 protestuesve në bulevard. SPAK njofton se më datë 15 korrik 2024 është regjistruar nisja e hetimeve për disa vepra penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.

Gjykata e Lartë, në vendimin e dhënë pak ditë më parë, orientoi SPAK se duhet t'i referohet vendimit të GJEDNJ për vrasjen e Aleks Nikës, evidentoi se çështja e përgjegjësisë së mundshme të zinxhirit komandues të Gardës nuk ishte zbardhur nga hetimi i bërë lidhur me ngjarjen. Po duke u bazuar tek vendimi i Strasburgut, sipas Kolegjit të Gjykatë së Lartë, autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin në hetim. Ndaj kjo dosje duhet të hetohet nga SPAK. 

"Gjykata evidentoi mangësi specifike në hetimin për vdekjen e të afërmve të kërkuesve dhe konkludoi se autoritetet kanë dështuar për kryerjen e një hetimi efektiv për ngjarjen, i cili duhet të çonte në zbulimin e të vërtetës dhe identifikimin e ndëshkimin e përgjegjësve (paragrafi 128-129 i vendimit). Gjithashtu, GJEDNJ konstatoi se çështja e përgjegjësisë së mundshme të zinxhirit komandues të Gardës nuk ishte zbardhur nga hetimi përkatës, i cili ishte përqendruar në përgjegjësinë individuale të oficerëve të Gardës dhe jo në sekuencën apo natyrën e urdhrave që mund të ishin dhënë nga zinxhiri komandues. Kishte pasur gjithashtu edhe një sërë mangësish të tjera në hetim duke përfshirë fshirjen e video-regjistrimeve të incidentit dhe mos-ndjekjen e disa pistave kyçe të hetimit, si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë. Këto mangësi ngritën dyshimin se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin në hetim (paragrafi 109 i vendimit),"-shkruhet ndër të tjera në vendim. 

Çfarë ndodhi më 21 janar?

Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale.

NJOFTIMI I SPAK:

Nisur nga interesimi i vazhduar i medias dhe publikut njoftojmë se, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 15.07.2024 ka regjistruar procedimin penal nr.138, të vitit 2024, për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e parashikuar nga neni 79 gërmat “dh” dhe “ë”, si dhe 25 të Kodit Penal. “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal; “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 301 dhe 25 të Kodit Penal. Ky procedim penal është regjistruar në lidhje me ngjarjen e datës 21.01.2011, të ndodhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, ku gjatë një mitingu të organizuar nga opozita politike e asaj kohe përpara Kryeministrisë, është vrarë shtetasi Aleks Nika, si dhe janë plagosur shtetasit Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.

Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë duke vlerësuar konkluzionet e vendimit Nr. 00-2024-1222 i Vendimit (69), datë 12.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (depozituar në sekratarinë e Prokurorisë së Posacme në datën 11.07.2024), si dhe duke qenë para detyrimit ligjor për zbatimin e këtij vendimi, me të cilin Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është urdhëruar për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023, të shtetases Rajmonda Nika, si dhe duke vlerësuar dhe mbajtur parasysh, sipas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, prononcimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), (vendimi datë 14 Nëntor 2023 – çështja Nika kundër Shqipërisë), lidhur me rastin konkret, ku GJEDNJ në përfundim të çështjes ka konstatuar – shkelje të nenit 2, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si në aspektin material ashtu dhe në atë procedural.

Në rastin konkret hetimi i veprave penale të parashikuara nga nenet 79, gërmat “dh” dhe “ë” e 25, 248 e 25, si dhe 301 e 25 të Kodit Penal, është në kompetencën lëndore të Prokurorisë së Posaçme, në bazë të nenit 75/a, gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale, pasi dyshohet se veprat penale mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, gjatë ushtrimit të detyrës.

Duke vlerësuar informacionet e përftuara dhe të administruara se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ishte duke kryer veprimet hetimore në lidhje me procedimin penal Nr.285, vitit 2011, (i rifilluar), aktet e të cilit bëjnë fjalë për ngjarjen e ndodhur më datën 21.01.2011, për vrasjen e shtetasit Aleks Nika dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa, si dhe pas njoftimit të datës 15.07.2024 të bërë nga prokurori i çështjes, në mbështetje të neneve 29 pika 3 dhe 75/a, me vendimin e datës 15.07.2024, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur ndër të tjera:

Përcaktimin e kompetencës lëndore për hetimin e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, duke caktuar si prokurori kompetente Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kërkimin e akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë. Njoftimin me këtë vendim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, me qëllim dërgimin prej saj të akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011./ZËRI

Poll

MOS HUMB