
FIER- Një kamer sigurie në zonën ku ndodhi vrasja e efektivit të Forcave Shqiponja, Novruz Cenalia ka fiksuar gjithë skenën e krimit. Raportohet se në vendin ku ndodhi vrasja ka qenë në gjendje pune një kamer sigurie, e cila tashmë është marrë nga Policia për të analizuar dinamikën që solli ekzekutimin me një plumb në kokë të Cenalias nga Asllan (Azgan) Mernica.
Efektivi që mbeti i vrarë kishte rreth një muaj që ishte martuar, ndërsa momentin kur ndodhi ngjarja ishte duke ikur në punë pasi ishte turni i dytë. Deri më tani vrasja dyshohet të ketë ardhur pas një sherri të çastit për kalimin në një rrugë të ngiushtë. Pas krimit Mernica është larguar ndërsa Policia është vënë në ndjeke të tij.
Në ndihmë të Policisë së Fierit kanë mbërritur ekipet e Forcave RENEA. Ata janë pozicionuar në fshatin e autorit dhe kanë kryer kontrolle, por ende asnjë gurmë e tij. Për kontroll nga ajri është duke u përdorur një dron. Kryepolici Muhamet Rrumbullaku dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla reaguan ashpër për ngjarjen. Ndërkohë për “kokën” e autorit, Policia ka vënë 30 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion./ZËRI