
TIRANË- Gazetari i kronikës Artan Hoxha ka bërë një paralajmërim të fortë në lidhje me ngjarjen e rëndë që trondtiti një ditë më parë Rreshenin, ku Martin Bardhi u ekzekutua me breshëri plumbash në lokalin e tiij nga të paktën dy autorë ende të paidentifikuar.
Teksa fliste për ngjarjen në “Opinion”, Hoxha kërkoi nga autoritetet që të ketë një zgjidhje të rastit pasi në të kundërtën Rresheni rrezikon të kthehet në zonë “më të nxehtë” të Shqipërisë sa i përket aktivitetit kriminal nga hakmarrja që mund të jisë mes fiseve Bardhi dhe Reçi.
Artan Hoxha: Fisi Bardhi është po ashtu me shumë reputacion, viktima ka nja 7 vëllezër të tjerë. Nuk ka qenë i përfshirë në këtë historikun. Këta kanë një vrasje, e ka bërë vëllai i viktimës në 1 Maj 1995, është vrarë Ilir Reçi në atë kohë, nuk është pjesë e asaj historie. Konflikti ka ndodhur më 26 Mars prej djalit Enrik Bardhi dhe Saimir Reçit, dhe ai lëvizte me mjet të blinduar dhe mjeti i blinduar e ka shpëtuar. Kjo vrasje e kryer sot në mes të Rrëshenit, reputacioni që ka patur viktima dhe potenciali që ka fisi i tij dhe nëse rezulton që mund të jenë të përfshirë pjesëtarë të fisit Reçi, kjo do bëjë që në Rrëshen të kemi zonën më të nxehtë të Shqipërisë. Pra kemi fisin Reçi, kemi fisin Gjini, kemi fisin Jaku dhe tani është futur dhe fisi Bardhi. U bëj thirrje autoriteteve që të kërkojnë zgjidhje në këtë histori. Aty ngjarjet ndodhin ditën që të merret vesh kush e ka bërë dhe pse e bëri. Konfliktet e viteve të fundit në Rrëshen, kemi patur të vrarë në Bruksel, Romë, minë në mes të Tiranës dhe kemi patur atentate spektakolare me snajper. Rrësheni për mua është zona më e nxehtë që ka Shqipëria.
Si ndodhi ngjarja
Atentati ndaj Martin Bardhit u regjistrua paraditën e të martës, rreth orës 10:40. Viktima ka qenë duke konsumuar kafen në lokalin e tij në qendër të Rreshenit, i shoqëruar nga tre persona. Konkretisht Oltion Gjini, ish-drejtor në bashkinë e Mirditës, Ilir Bardhoku, pronar i një lokali aty dhe Indrit Bardhi, ky i fundit me lidhje gjaku me viktimën.
Dy autorët e ngjarjes, të maskuar dhe me kallashnikov janë afruar në tavolinën ku qëndronte viktima dhe kanë hapur zjarr ndaj duke e lënë të vdekur në vend. Gjithçka që lanë pas ishin njolllat e gjakut në tokë, gota e filxhanë të thyer, një viktimë dhe tre të plagosur që u ndodhën në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.
Menjëherë pas ngjarjes Policia e Rreshenit dhe Lezhës rrethuan zonën me qëllim kapjen e autorëve. Këta të fundit të cilët lëviznin me një fouristradë të zezë kanë dalë në Rrugën e Kombit e më pas në fshatin Gëziq i kanë vënë flakën duke fshirë gjurmët që mund ti çonin tek ata. Dyshohet se aty i priste një tjetër makinë që i ka larguar. Por kur kanë kaluar 24 orë nga ngjarja Policia ende nuk ka asnjë autor të dyshuar.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme janë shoqëruar në Komisariat për tu marrë në pyetje 10 persona, mes të cilëve dhe babai i Saimir Reçit, autorit të dyshuar të ngjarjes, i cili po kërkohet nga Policia pasi nuk u gjet në banesë.
Si nisi saga e hakmarrjeve
Gjithçka ka nisur më 26 maj të këtij viti teksa Saimir Reçi, (Nipi i Kastriot Reçit, i ekzekutuar në vitin 2020) ka pasur një konflikt verbal me Enrik Bardhin, djalin e viktimës, shkak ishte bërë një parakalim me makinë në rrugën kryesore të qytetit. Debati verbal mes tyre ka eskaluar në përleshje fizike. Menjëherë pas sherrit Enrik Bardhi ka shkuar në banesën e tij dhe ka marrë automatikun për të vrarë bashkëmoshatarin e tij. Bashkë me të ka ikur dhe viktima, Martin Bardhi.
Ata i kanë zënë pritë Saimir Reçit në dalje të Rreshenit dhe kanë hapur zjarr ndaj tij. Ai nuk pësoi lëndime pasi makina ishte e blinduar. Për shkak të të shtënave ai humbi kontrollin e mjetit dhe doli jashtë rruge ku dhe u përplas. Pas ngjarjes Policia shpalli në kërkim si autorë Enrik dhe Martin Bardhin. Ky i fundit u arrestua ndërsa i biri vijon të jetë në kërkim./Zëri