BURREL- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 23-vjeçar, Renis Dobra. Rrëmbimi dhe ekzekutimi i të riut ishte planifikuar 5 ditë para se të ndodhte ngjarja dhe për këtë detaj autorët kanë lënë prova kudo. Më datën 5 korrik, nga aeroporti i Rinasit, është marrë një makinë me qira nga i shpallur në kërkim Aleksandër Bushgjoka. Makina është kthyer më datën 7 korrik nga i vëllai i tij, Fatjoni, i cili në të njëjtën ditë ka marrë me qira një tjetër makinë, tip Range Rover, e cila është përdorur në krim. Në aksion është futur edhe Petrit Çakrri, i cili ka marrë një makinë tjetër me qira, një Hyundai, që u përdor gjithashtu në lëvizjet e dyshuara.
Fatjoni ka kthyer makinën më 10 korrik, dy ditë pasi dyshohet se ka kryer rrëmbimin dhe më pas vrasjen e Renis Dobrës. Pas kthimit të makinës, ka pasur një debat mes tij dhe pronarit të makinave me qira në Rinas, pasi makinës i ishte tentuar të hiqej GPS. Në dëshminë e dhënë para grupit hetimor, Fation Bushgjokaj ka pranuar se me 23-vjeçarin janë njohur në Gjermani dhe kanë punuar në aktivitete të paligjshme të trafikut të lëndëve narkotike.
Megjithatë, ai mohon të ketë lidhje me vrasjen e tij, duke theksuar se nuk ka asnjë përfshirje në ngjarje, por pranon konfliktet dhe sherret që ka pasur më parë me viktimën. Nga ana tjetër, Petrit Çakrri pranon pjesërisht se ditën e ngjarjes ka qenë në zonën ku ndodhi krimi. Në rrëfimin e tij, ai nuk e njihte personalisht viktimën dhe pohon se nuk ka lidhje me ngjarjen, as nuk e dinte çfarë kishte ndodhur.
Dëshmia e Fatjon Bushgjokës: E njoh të riun, por nuk kam lidhje me vrasjen e tij. E kam njohur në Gjermani, kemi shitur drogë. Kemi bërë punë të pista.
Dëshmia e Petrit Çakrrit: Po, kam qenë në Burrel me vëllezërit Bushgjoka, por nuk dija asgjë. Ata më thanë që do gjenim drogë në Madhesh të Burrelit. Kam bërë burg me Kristi Bushgjokën. Unë isha në makinën tjetër dhe nuk më treguan, nuk di asgjë për çfarë ndodhi. E pashë në lajme që ishte vrarë. Ata më thanë të ikja.
Pra, Çakrri mohon çdo përfshirje në vrasje, duke deklaruar se nuk e di çfarë ka ndodhur me Renis Dobrën.
Një ditë më parë, Policia e Dibrës zbardhi ngjarjen duke arrestuar dy persona, Fation Bushgjokën dhe Petrit Çakrrin, ndërsa shpalli në kërkim dy vëllezërit e Fationit, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokajn. Sipas Policisë, motiv i vrasjes së 23-vjeçarit në Mat dyshohet të ketë qenë konflikti për drogën në Gjermani. Renis Dobra, 23 vjeç, u vra mbrëmjen e 8 Korrikut 2025 në fshatin Madhesh të Matit. Ai ishte mbytur me litar nga autorët dhe më pas trupi i tij ishte futur brenda makinës. Autorët tentuan ta hidhnin makinën në Liqenin e Ulzës, por trupi mbeti buzë liqenit në rrethana ende të paqarta./ZËRI