Aktualitet

Në 2028, nga depistimet vdekshmëria te gratë prej sëmundjeve tumoriale do të bjerë deri 6,7%

Në projektvendimin e programit buxhetor afatmesëm për vitet 2025-2029, Ministria e Shëndetësisë ka publikuar objektivat e reja për reduktimin e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit dhe i qafës së mitrës, si pjesë e programit kombëtar të depistimit për vitet 2025–2028.

Redaksia Zëri
Në 2028, nga depistimet vdekshmëria te gratë prej sëmundjeve
Foto ilustruese

TIRANË- Ministria e Shëndetësisë parashikon se me rritjen e numrit të grave që kryejnë rregullisht kontrollet e hershme për sëmundjet tumoriale, brenda 4 vitesh nga 2025 në 2028 vdekshmëria nga kanceri i gjirit do të bjerë 2,7% dhe i qafës së mitrës 6,7%. Kryerja e depistimeve synon kapjen e hershme të sëmundjes në fazën e mosshfaqjes së simptomave, me qëllim parandalimin.

Në projektvendimin e programit buxhetor afatmesëm për vitet 2025-2029, Ministria e Shëndetësisë ka publikuar objektivat e reja për reduktimin e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit dhe i qafës së mitrës, si pjesë e programit kombëtar të depistimit për vitet 2025–2028. Vdekshmëria nga kanceri i gjirit, një nga sëmundjet më të përhapura tek gratë për 2025 parashikohet të jetë 18.5 vdekje për 100,000 gra. Niveli i vdekshmërisë pritet të mbetet i njëjtë edhe për 2026. Rënia nis nga 2027 me 18 vdekje për 100,000 gra. Edhe për 2028 numri i vdekjeve do të jetë 18. Deri në 2028 vdekshmëria nga kanceri i gjirit pritet të bjerë 2,7%.

Vdekshmëria nga kanceri i qafës së mitrës do të ndjekë gjithashtu një trajektore rënëse, nga 2.9 vdekje për 100,000 gra në 2025 në 2.8 për 100,000 gra në 2026. Për 2027 vdekshmëria parashikohet të arrijë në 2.75 vdekje në 100,000 gra dhe në 2.7 vdekje për 2028. Nga 2025 deri në 2028 vdekshmëria pritet të bjerë 6,7%.

Ulja e vdekshmërisë do të ndikohet nga zgjerimi i numrit të depistimeve, veçanërisht në grupmoshat më të rrezikuara. Gratë 40–50 vjeç do të mbulohen me testin HPV (për kancerin e qafës së mitrës) në nivelin 37% deri në 2028. Gratë 50–60 vjeç do të përfitojnë mamografi depistuese në nivelin 28% deri në 2028.

Nga Ministria e Shëndetësisë është planifikuar një buxhet vjetor prej 38,5 mln lekësh për depistimin e kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës tek gratë, në kuadër të programit kombëtar të parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të këtyre sëmundjeve. Investimi është pjesë e strategjisë për uljen e vdekshmërisë nga kanceri deri në vitin 2028. Për 4 vjet parashikohen të shpenzohen 154 mln lekë apo rreth 1,5 mln euro për të dyja programet.

Për depistimin e kancerit të gjirit, sipas të dhënave zyrtare, çdo vit do të përfitojnë 5,550 gra nga mamografia depistuese, me një kosto për njësi prej 1,801 lekësh nga viti 2026 deri në 2028. Buxheti i përgjithshëm për këtë program kap vlerën 10 mln lekë në vit. Për depistimin me testin HPV për qafën e mitrës do të përfitojnë 12,000 gra në vitin 2025, dhe 13,000 gra në vitet 2026–2028, me një buxhet total prej 28,5 mln lekësh në vit. Kostoja për një grua shkon nga 2,375 lekë në 2026 në 2,192 lekë në 2027.

Në vend kontrollet për kancerin në qafën e mitrës kryhet nga Shërbimi Parësor, pra nga qendrat shëndetësore rajonale. Ndërsa kontrollet për kancerin e gjirit nëpërmjet mamografive lëvizëse apo pranë materniteteve shtetërore. Por tendenca e numrit të kontrolleve parandaluese është me rënie. Për 2024 sipas të dhënave të raportit të Monitorimit të Treguesve të Ministrisë së Shëndetësisë numri i grave të depistuara për kancerin e gjirit është 3,700 gra kundrejt 5,450 të parashikuara, me një kosto prej 1,647 lekë/rast apo prej rreth 7 mln lekë. Gra të depistuara për kancerin e qafës së mitrës është 10,200 gra kundrejt 11,000 të parashikuara me një kosto prej 1,932 lekë/rast./Monitor

Poll

MOS HUMB