TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e hetimeve për Lulzim Berishën dhe kunatin e tij Plarent Dervishaj (të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia), të cilët dyshoheshin si të implikuar në vrasjen e Vajdin Lamajt dhe mikut të tij Artan Arsin.
Pas tre vitesh hetime, SPAK nuk ka mundur të provojë implikimin e dy figurave kryesore të krimit në vrasjen e dyfishtë me tritol të ndodhur në muajin shkurt 2005 në Tiranë. Duke nisur nga kjo, SPAK i ka kërkuar gjykatës pushimin e çështjes për dy anëtarët e bandës së Durrësit, të cilët kanë dhe lidhje familjare mes tyre.
Tashmë për vrasjen e Lames dhe Arsit akuzohen vetëm Emiliano Shullazi dhe Viktor Ymeri, të cilët janë marrë të pandehur dhe vijon procesi gjyqësor. Njëherësh, prokurorët e SPAK, kanë kërkuar shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg” të marrë në mungesë ndaj Berishës dhe Dervishaj.
Por me shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg” nuk do të thotë që Berisha dhe Dervishaj ti shpëtojnë ndjekjes së policisë. Kjo pasi ata janë në kërkim, dhe janë marrë të pandehur, për vrasjen e Klodian Saliut, e ndodhur në vitin 2005 në afërsi të qytetit të Durrësit.
Sipas dosjes hetimore dy personat u dyshuan si pjesëmarës në vrasjen e Vajdin Lamaj dhe Artan Arsit, pas dëshmisë së dhënë nga bashkëpunëtori i SPAK, Luftar Reçi, i cili ka treguar se sasinë e tritolin të përdorur në vrasjen e Vajdin Lamaj, e ka montuar Joshko Çervenkovski në prezencë të Indrit Taullait, Lulzim Berishës, Plaurent Dervishaj dhe Luftar Rreçit.
Mirëpo SPAK nuk ka arritur që të provojë përfshirjen e tyre në krim.
/ZËRI