
ELBASAN- Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për 11 prej të arrestuarve për vrasjen në burgun e Peqinit, ndërsa vetëm njëri prej “detyrim parqitjeje”. I vetmi person që ka masë më të butë sigurie është Vilson Shima, për shkak të disa problemeve familjare, duke qenë se njëri prej fëmijëve ka probleme shëndetësore dhe se nuk ka kush të kujdeset për të.
Nga ana tjetër mbrojtja pretendoi se dosja nuk mund të jetë e përbashkët, pra duhet të ndahen përgjegjësitë në varësi të funksionit që secili prej të pandehurve kanë pasur në burgun e Peqinit.
Çfarë ka ndodhur në burgun e Peqinit?
Mesditën e 15 dhjetorit, Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marrë peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet, pasi u garantua se nuk do të vritej.
Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çek në vitin 2015./ZËRI