
TIRANË- Një mesazh i ka kushtuar jetën biznesmenit 52-vjeçar, Armandi Nelaj. "Welcome to Greece!",-mesazhi që vjen sa herë i afrohesh kufirit me Greqinë ka rezultuar fatal për biznesmenin që kishte tritolin në duar. Më shumë detaje, duke rikrijuar dinamikën e ngjarjes ka dhënë gazetari Eni Ferhati.
Ky i fundit ka zbuluar se 52-vjeçari kishte marrë porosi nga 35-vjeçari Erdian Muho për të hedhur në erë anijen e linjës Sarandë-Korfuz, për arsye konkurrence. Ndaj edhe kishte gjetur lëndë plasëse, që më pas do ta aktivizonte me një telefonatë. Por në momentin që po i afrohej objektivit, një mesazh që i erdhi në telefon...i kushtoi jetën!
Menjëherë pas mesazhit ka ndodhur shpërthimi që copëtoi trupin e 52-vjeçarit, i cili u gjet në det nga disa turistë.
“Sasia e eksplozivit do të vendosej në pjesën fundore të tragetit, e lidhur me një aparat celular, në vakum. Autori i cili humbi jetën, nuk kanë llogaritur diçka sipas hetuesve. Në momentin që autori i është afruar anijes, kanë hyrë valët roaming dhe ka ardhur një mesazh në telefon. Kjo ka qenë fatale për Armand Nelaj,”- tha gazetari.
Ngjarja e rëndë ndodhi në qershor! Fillimisht u dyshua se shpërthimi kishte ndodhur nga bombula e oksigjenit, e më pas u hetua edhe pista e vrasjes së Nelajt, i cili ishte biznesmen i njohur në Sarandë. Por sot, u zbulua se vdekja e Nelajt ka ndodhur për shkak të një lënde plasëse që ai kishte planfikuar të vendoste në tragetin e linjës Sarandë-Korfuz, "Finikas Lines". Shkak ishte konkurrenca për linjën e Korfuzit./ZËRI