TIRANË- Hetimet për rrjetin ndërkombëtar të trafikut të kokainës të zbuluar nga SPAK vijojnë të sjellin detaje të reja mbi mënyrën e funksionimit të organizatës që kanë trafikuar dhjetëra ton kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europia
Të tjera detaje kanë dalë në dritë përmes komunikimeve të përgjuara në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC. Sipas të dhënave të dosjes hetimore, në qendër të bisedave qëndrojnë Eldi Dizdari dhe Salvatore Aliu. Këta të fundit diskutojnë për sasi të mëdha kokaine, rrugët e transportit dhe mënyrat e fshehjes së ngarkesave në kontejnerë.
Nga komunikimet e përgjuara rezulton se për Dizdarin transportimi i ngarkesave që dyshohet se arrinin deri në 10 ton kokainë nuk përbënte problem, pasi ai pretendonte se kishte të garantuara rrugët e kalimit dhe tregun e shitjes. Megjithëse shqetësimi i tij ishte pesha e çantave që përdornin transportuesit dhe jo sasia e drogës. Madje, në një bisedë, ai i kërkon Aliut që çantat mos kalonin 45 deri në 50 kilogramë.
“Për Zotin kanë frikë po thyhen në mes, se ankohen gjithmonë. Po ngecin aty. Po u bje të fikët kot, haahahaahahah. Madje nuk kanë mundësi as të shkruajnë sms pas shkarkesave, pasi janë të mpirë”, thuhet në komunikimet në SKY ECC.
Nga ana tjetër, Aliu i përgjigjet se do të mundohet t’i përshtasë ngarkesat në këtë peshë, ndërsa pranon se rreziku dhe mënyra e operimit i krijonin një ndjesi adrenaline. Megjithatë, rezulton se një nga arsyet pse çantat bëhen të mëdha apo të rënda, është pasi pagesa në nisje bëhet në bazë të numrit të çantave që ngarkohen në konteniere.
Gjithashtu, në komunikime, hetuesit kanë zbuluar diskutime për zgjedhjen e kontenierëve dhe rrugët e kalimit, ku Aliu sugjeronte përdorimin e “Dole”, ndërsa Dizdari kërkonte tranzit përmes Anversit për të shmangur kontrollet me skaner.
Në komunikime përmendet edhe një mënyrë e dyshuar fshehjeje të kokainës, duke përdorur një kopje çelësi të vendosur në kontenier, që përdorej pas mbërritjes për të mos lënë gjurmë.
Pak ditë më parë, SPAK njoftoi goditjen e grupit të strukturuar kriminal të dyshuar për trafikun e të paktën 50 tonëve kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së, në kuadër të një hetimi të zgjeruar ndërkombëtar. Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi dyshohet se drejtohej nga Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari, si dhe Salvatore Aliu. Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka caktuar masën “arrest me burg” për 10 persona të përfshirë në këtë dosje. Deri tani, masa është ekzekutuar vetëm për Florjan Musaj. SPAK njofton se dy persona të tjerë dyshohet se ndodhen brenda territorit të Shqipërisë dhe po kërkohen nga autoritetet, ndërsa 7 të tjerë nuk ndodhen aktualisht në Shqipëri dhe janë shpallur në kërkim. Hetimi ka zbardhur deri tani 5 episode të trafikut të lëndëve narkotike. Sipas SPAK, të ardhurat nga aktiviteti kriminal janë investuar në pasuri të paluajtshme dhe biznese. Pastrimi i parave dyshohet se është kryer përmes kompanive në ndërtim, hoteleri dhe konsulencë. Në total, janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro. Mes tyre përfshihen kompani, hotele, vila luksoze dhe automjete. Personat e dyshuar në dosje përfshijnë Nikoll Bibaj, Isa Aliu, Sokol Bibaj, dhe të tjerë./ZËRI