
BRUKSEL - Dy shqiptarët, Paulo D. dhe Flavio B., u arrestuan më 26 tetor 2021, kur policia bastisi një laborator droge në Huysmanslaan në Ixelles. Hetuesit gjetën aty jo më pak se 177 kilogramë kokainë, si dhe shumë produkte kimike dhe të gjitha furnizimet e nevojshme për përgatitjen e kokainës për shitje, si dhe dy armë zjarri. Prokurori publik kërkoi shtatë vjet burg për Flavio B. dhe gjashtë vjet për Paulo D.
Javën e kaluar, gjyqtari federal Julien Moinil kishte kërkuar nëntë vjet burg kundër vëllait të figurës kryesore në trafik droge, Eridan M.G. Të hënën, shtatë vjet burg u kërkua kundër Sokol C.
“Sokoli punon si shofer kamioni në Shqipëri, por me pagën mujore prej 800 eurosh ka mundur të blejë një Range Rover, një Ford Mustang, një Mercedes, një varkë dhe disa apartamente”, thuhet në njoftim. “Në të njëjtën kohë, vëllai i tij Eridani i dërgon shuma të konsiderueshme parash nga Belgjika. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në Shqipëri kemi gjetur disa dokumente, që e lidhin me automjetet e përdorura në Belgjikë nga organizatat kriminale”, njofton gjykata belge.
Më në fund, gjykatësi federal urdhëroi një dënim me burg prej trembëdhjetë vjetësh kundër Maringlen C.V., emri i të cilit mund të lidhej me laboratorë të ndryshëm të drogës. “Gruaja e tij u arrestua në laboratorin e drogës në Graystraat, vendi ku filloi kjo dosje”, tha magjistrati. “ADN-ja e tij u gjet në një laborator në Anderlecht. Ai ishte në kontakt të ngushtë me Eridan M.G. edhe pas arrestimit e njihet nga Albelhak H. si një nga personat që e kanë rrëmbyer”, vijohet më tej në dosje. Në Gjykatën e Brukselit, ka nisur një gjyq i madh ndaj personave që kanë përdorur aplikacione të enkriptuara, pas zbërthimit të Sky Ecc. Në mesin e të pandehurve, janë shumë shqiptarë./Le Soir - ZËRI/