Aktualitet

‘Zemra e humbur’ e Saimir Sulës do shkojë në Strasburg! E motra: Makthi të marrë fund

Familjarët kërkojnë që çështja e zemrës të Saimir Sulës të zgjidhet dhe ankthi i tyre të marrë fund.

D.XH
‘Zemra e humbur’ e Saimir Sulës do shkojë në
Saimir Sula

BARCELONË – Mediat spanjolle kanë shkruar në lidhje me rastin e pazakontë të Saimir Sulës, të riut shqiptar që vdiq në Spanjë. Zemra e Sulës thuhet se ka ardhur në Shqipëri, por se familjarët e tij e dyshojnë diçka të tillë. Çështja pritet të shkojë në Strasburg, ndërsa e motra e Saimir Sulës deklaron se uron që makthi për të ditur të vërtetën për ngjarjen, duhet të marrë fund.

Artikulli i medias spanjolle:

Familja e Saimir Sulës, të riut shqiptar që vdiq në Spanjë në vitin 2020 dhe u riatdhesua në vendin e tij pa zemër, shpresonte që pas gati katër vitesh të vështira procesesh gjyqësore dhe institucionale për zbardhjen e çështjes, autoritetet ballkanike do ta ndihmonin atë, të mbyllej kjo çështje.

Verën e kaluar, një komision ekspertësh nga vendi ballkanik udhëtoi për në Barcelonë për të ruajtur zemrën – gjoja të të riut – në vendlindjen e tij, në mënyrë që, në përgjigje të kërkesës së motrës së tij, Majlinda Sula, të jenë në gjendje të kryejë një test ADN-je që vërteton, nga njëra anë, nëse organi është i Saimir Sulës, si dhe shkaqet që e çuan të riun shqiptar drejt vdekjes. Majlinda dyshon se vëllai i saj, i cili u shtrua në Spitalin del Mar në Barcelonë me Covid në mes të pandemisë dhe (vdiq të nesërmen "pa u përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes), ka ndërruar jetë si pasojë e masave të agjentëve të sigurimit të qendrës, pasi kanë tentuar ta ndalojnë, kur ai donte që të ikte.

Sipas familjes, përfaqësuar nga avokati Carlos Sardinero, nga shoqata El Defensor del Paciente, kur zemra mbërriti korrikun e kaluar në Shqipëri nuk mundën të kryenin testin e ADN-së për shkak të “mungesës së mjeteve teknike”. “Nuk kanë mundur ta ndajnë zemrën nga formalina, një kimikat që përdoret për të ruajtur organet dhe indet, sepse teknikisht nuk munden dhe kjo e ka bërë të pamundur kryerjen e testit”, denoncon motra, që kërkon vetëm t’i japë fund makthit. "Ky makth ka zgjatur pothuajse katër vjet. Familja u ka kërkuar autoriteteve shqiptare që me shpenzimet e tyre të dërgojnë një kampion zemre në laboratorë të tjerë europianë, por vendi ballkanik refuzon, pa dhënë shpjegime të mëtejshme. Nuk po i lehtësojnë gjërat”, thotë Majlinda.

Përballë këtij problemi të ri institucional, familjarët e Saimirit kanë vendosur ta transferojnë çështjen në Strasburg. Avokati siguron në prononcimet për ABC se familja ka gjetur laboratorë në Bruksel dhe Vjenë, që do të mund të kryejnë testin e zemrës me garanci. Në ditët në vijim, familja do ta çojë çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut si opsioni i fundit, pasi Gjykata Kushtetuese (KT) refuzoi ankesën e familjes për mbrojtje. “Gjykata Kushtetuese nuk e ka miratuar, jo sepse nuk ka shkelje të të drejtave themelore, por sepse nuk ka rëndësi kushtetuese”.

Makthi për zemrën e të riut Saimir Sula

Saimir Sula, 31 vjeç, vdiq më 9 maj 2020 në Barcelonë. Ai u paraqit në Spitalin del Mar me ethe dhe në një foto ai paraqitej se kishte ethe nga Covidi. I bënë një test antigjeni, i cili doli negativ, por ai ishte ende i shtruar në spital. Të nesërmen në mëngjes, i riu shqiptar ka dashur të largohet nga spitali dhe kur e kanë penguar, ka pësuar një krizë ankthi, të cilën mjekët e kanë lidhur me skizofreninë, që i është diagnostikuar. Për ta qetësuar, i kanë dhënë një antipsikotik, por sërish gjendja e shqiptarit nuk është qetësuar. Në këtë fazë, ai pësoi arrest në frymëmarrje dhe vdiq. Familja e Saimirit nisi një fushatë për të sqaruar shkaqet e vdekjes së tij, një rrugëtim i mundimshëm tre-vjeçar, që vazhdon ende.

Kur trupi i të riut u riatdhesua në Shqipëri, në vitin 2020 panë se i mungonte zemra. Ata insistuan dhe më 27 maj 2021 iu dërgua raporti hispatologjik i organit. Datat nuk përputheshin. Sipas dokumentit, të konsultuar nga ABC, analiza e zemrës ishte bërë më 22 prill, 17 ditë para vdekjes së Saimirit./ZËRI/

Poll

MOS HUMB