Aktualitet

Zjarret dhe tërmeti/ Mbrojtja bën bilancin: 4 vatra aktive, situata më e rënduar në Dajt, lëkundjet u ndjenë në Delvinë

Përveç zjarreve, Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë natës është regjistruar edhe një tërmet me magnitudë 4.7 të Shkallës Rihter me epiqendër në njësinë administrative Vergo, në bashkinë Delvinë.

l.k
Zjarret dhe tërmeti/ Mbrojtja bën bilancin: 4 vatra aktive, situata
Foto ilustruese

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë raportuar 26 vatra zjarri, nga të cilat 4 vijojnë të jenë aktive dhe 2 të tjera janë nën mbikëqyrje.

Situata më e rënduar vijon të jetë në Malin e Dajtit, në zonën e Qafë-Priskës, ku janë riaktivizuar vatrat e zjarrit dhe flakët janë përhapur me shpejtësi. Vatra aktive janë raportuar edhe në qarkun e Dibrës, ndërsa në Elbasan disa vatra vijojnë të jenë nën mbikëqyrje. Aktualisht, ato nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në terren janë angazhuar 315 forca operacionale dhe 25 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve janë përdorur edhe 4 helikopterë dhe 75 efektivë të Forcave të Armatosura.

Përveç zjarreve, Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë natës është regjistruar edhe një tërmet me magnitudë 4.7 të Shkallës Rihter me epiqendër në njësinë administrative Vergo, në bashkinë Delvinë. Nga lëkundjet nuk janë raportuar problematika në komunitet apo infrastrukturë.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit janë raportuar 26 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 2 nën mbikëqyrje.

Për përballimin e situatës janë angazhuar në total 315 forca operacionale dhe 25 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje të operacioneve janë përdorur 4 helikopterë dhe 75 efektivë të Forcave të Armatosura.

Situata më problematike vijon në Malin e Dajtit, veçanërisht në drejtim të Qafë-Priskës, ku janë evidentuar riaktivizime dhe zgjerim i zjarrit. Sot operacioni vijon me 15 zjarrfikës, 9 forca të AdZM-së dhe 20 efektivë të FA-së.

Në qarkun e Dibrës mbeten aktive vatrat në Qafë të Helmës, Vajkal dhe Sllatinë. Në Vajkal operojnë 38 forca të MZSH-së/bashkisë dhe 30 efektivë të FA-së, ndërsa në Sllatinë janë angazhuar 91 forca; për këtë të fundit nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Elbasan, vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit mbahen nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Gjatë natës është regjistruar gjithashtu një tërmet me magnitudë ML 4.7, me epiqendër në njësinë administrative Vergo, bashkia Delvinë, pa problematika të raportuara në komunitet apo infrastrukturë.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB