TIRANË- Për situatën e zjarreve në vend, kanë bërë nga një reagim edhe presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Dom Gjergj dhe kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu. Meta, ka bërë një apel të ndjerë duke u shprehur se ata që ndezin qëllimisht zjarret do të japin llogari para Zotit për këtë krim. Ndërsa Spahiu shkruan se lutet që situata me zjarret të marrë fund sa më shpejt.
POSTIMI I BUJAR SPAHIUT:
Gjatë 48 orëve të fundit vendi ynë është përfshirë nga zjarre masive, të cilat në disa qarqe kanë dalë jashtë kontrollit. Fatkeqësisht edhe me një viktimë në Gramsh dhe dëme të shumta për familje të tëra. E lusim Zotin që kjo situatë të kapërcehet sa më shpejt! Gjithashtu ju bëj apel gjithë familjeve që janë në zona kritike të evakuohen, jeta është mbi gjithçka. Krahas kësaj, secili duhet të rrisë përgjegjshmërinë dhe të mos bëhen shkak për zjarrvënie nga pakujdesia' shkruan Spahiu në një postim në rrjetin social facebook.
POSTIMI I DOM GJERGJ METËS:
Zjarret që në këto ditë po rrezikojnë jetën e banorëve, shtëpitë e tyre, florën dhe faunën që gjendet në male dhe në pyje, në pjesën më të madhe janë të qëllimshme. Ky është një krim që kërkon përgjigje para njerëzve e para Zotit. Krijimi na është dhënë në roje dhe jo për ta prishur apo për të abuzuar me të duke e shkatërruar. Zjarret rrezikojnë edhe mundin dhe djersën e shumë njerëzve dhe familjeve të tyre. Kemi përgjegjësi të gjithë për të ruajtur si sytë e ballit çdo pëllëmbë vend tonin nga shkatërrimi.
Edhe në emër të të gjithë ipeshkvinjëve, ju bëj thirrje nga zemra të gjithëve, individë dhe institucione, të përballemi me situatën me veprime konkrete, por sidomos me shqyrtimin e ndërgjegjes tonë, në mënyrê që të dalim nga këto situata e të mos krijojmë të tjera.
Përgjegjêsve ju them se një ditë do të japim llogari para Zotit. Askush nuk ia ka pa hajrin abuzimit me ambientin, shkatërrimit të tij, pasi është njëkohësisht edhe shkatërrimi ynë e i të ardhmes tonë mbi planet. Thirrini zërit të ndërgjegjes, ndaleni dorën tuaj! Dërguesit dhe dorasët kanë përgjegjësi njësoj para njerëzve e para Zotit. Për këtë kanë përgjegjësi edhe organet shtetërore që të mos jenë neglizhentë, por të forcojnë ruajtjen e pyjeve, të përmirësojnë dhe përforcojnë strukturat me mjete ndërhyrëse. Të merret më seriozisht kjo gjë se vjen shpejt edhe viti tjetër e duhet të shkojmë përtej retorikave. Zoti bekoftë çdokend që e ka për zemër ruajtjen e mjedisit, të gjithë ata që në këto ditë po luftojnë me zjarret e qoftë pranë të dëmtuarve nga flakët. Me shpresën se sadopak këto fjalë do të dëgjohen i uroj secilit paqe në zemër e dashuri për këtë vend, për Shqipërinë tonë, që e kemi shumë të shtrenjtë.
Situata po përkeqësohet edhe në Delvinë, pasi Ministria e Mbrojtjes njoftoi se tashmë zjarrfikësit janë në luftë edhe me flakët e një vatre të papritur që po shpërndahet me shpejtësi duke u favorizuar nga erërat e forta. Gjendja përshkruhet si kritike, pasi erërat e forta dhe temperaturat e larta e vështirësojnë punën e forcave zjarrfikëse. E vetmja zgjidhje është ndërhyrja nga ajri. Por duket se edhe kjo ndërhyrje nuk është e mjaftueshme për të shuar flakët apokaliptike që kanë pushtuar vendin./ZËRI