Aktualitet

Zjarret në vend/ 7 vatra aktive, rrezik në Finiq dhe Mirditë

Sot raportohet se situata është problematike për shkak të erës.

l.k
Zjarret në vend/ 7 vatra aktive, rrezik në Finiq dhe Mirditë
FOTO NGA ZJARRET

TIRANË- Situata e zjarreve në vendin tonë gjatë 24 orëve të fundit vijon të jetë shqetësuese. Deri më tani janë evidentuar 18 vatra zjarri, nga të cilat 7 janë ende aktive.

Aktualisht 7 vatrat aktive janë në fshatin Navaricë në bashkinë Finiq, në fshatin Lokfënd në bashkinë Mallakastër, në fshatin Malaj i Epërm në bashkinë Mirditë, në fshatin Plani i Bardhë në bashkinë Klos, në fshatin Lleshaj në Gramsh dhe në Malin e Berzhitës në Tiranë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes këto vatra zjarri janë mbajtur nën monitorim gjatë natës, ndërkohë sot raportohet se situata është problematike për shkak të erës.

Për të bërë të mundur shuarjen e flakëve në Bashkinë Finiq sot do të shkojë dhe helikopteri i Forcave Ajrore që do të mundësojë fikjen e zjarrit nga ajri.

Probleme ka pasur edhe në fshatin Malaj të Epërm në Mirditë ku për shkak të terrenit të vështirë nuk po mundësohet operimi për shuarjen e flakëve me mjete ujëhedhëse.

Ministria e Mbrojtjes njofton se po merren masa qe në këtë zonë të krijohen breza ndarës për pengimin e përhapjes së zjarrit, në terren ndodhen 30 efektivë policie.

Sipas njoftimit bëhet me dije se këto vatra zjarri deri më tani nuk po rrezikojnë zonat e banuara.

 

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:

 

Situata e zjarreve në rang vendi

 

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 18 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 11 vatra zjarri, ndërsa 7 janë aktive.

Aktualisht, janë aktive vatrat në:

* Qarku Vlorë.

Në fshatin Navaricë, njësia administrative, Dhivër, bashkia Finiq. Vatra e zjarrit u mbajt nën monitorim gjatë natës së kaluar. Ditën e sotme raportohet se situata për shkak të erës është problematike. Në mbështetje të forcave në terren po shkon helikopteri i Forcës Ajrore. Në mbështetje të forcave, në Finiq po vepron edhe avioni kroat Canadair.

 

* Qarku Fier.

Fshatin Lofkënd, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër. Nga angazhimi i forcave në terren dhe ndërhyrjes nga ajri është bërë i mundur izolimi i vatrës së zjarrit në pjesën më të madhe të saj. Zjarri mbetet aktiv vetëm në pjesën jugore dhe atë veriperëndimore. Ditën e sotme vijon puna për izolimin e vatrës së zjarrit  me mbështetjen e 25  efektivëve të FA dhe forcave të tjera nga strukturat e bashkisë.

 

* Qarku Lezhë.

Fshatin Malaj Epërm, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë. Zjarri vijon të jetë aktiv në një sipërfaqe pyjore me pishë, lis, shkurre dhe bimësi të dendur, në një terren të vështirë dhe që nuk mundëson operimin me mjete ujë hedhëse. Gjatë ditës së djeshme në zonë operuan 33 forca operacionale nga strukturat vendore. Forcat po punojnë kryesisht në krijimin e brezave ndarës për pengimin e përhapjes së zjarrit. Ditën e sotme në mbështetje të forcave po operojnë edhe 30 efektivë të FA. Momentalisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

 

* Qarku Dibër.

Vendin e quajtur ”Mali i Allushit”, fshati Plani Bardhë, bashkia Klos, është riaktivizuar vatra e zjarrit të shuar ditë më parë. Zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk përbën rrezik për përhapje.

 

* Qarku Elbasan

Fshatin Lleshaj, njësia administrative Poroçan, bashkia Gramsh. Vatra e zjarrit po mbahet në monitorim nga punonjës të Shërbimit Pyjor për mosriaktivizime të mundshme.

 

* Qarku Tiranë.

Malin e Bërzhitës, njësia administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë. Nga puna gjatë ditës nga forcat e MZSH Tiranë është arritur vënia nën kontroll dhe vatra është drejt izolimit. Gjatë natës zona u mbajt në  monitorim. Ditën e sotme në terren ka vijuar puna nga forca të MZSH për shuarjen përfundimtarë.

* Në Tepelenë, midis fshatrave Turan dhe Dukaj, Nj. Adm. Qendër, ku po punohet nga forcat për shuarjen e zjarrit.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbetet në gatishmëri të plotë për koordinimin e mëtejshëm të forcave në terren dhe mbështetjen e çdo strukture me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe pasurisë së përbashkët. /ZËRI/

 

 

Poll

MOS HUMB