Aktualitet

Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 7 vatra ende aktive, nuk ka rrezik për banesat në disa zona

Vatrat kryesore janë në Malin e Dajtit, Gurë-Lurë, Qafë Helmës, Bruç, Lufaj dhe Fushë-Lajë.

M.K.
Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 7 vatra ende aktive, nuk ka rrezik
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Shtatë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa 3 të tjera janë në monitorim. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacione janë angazhuar 424 forca dhe 14 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura po mbështesin ndërhyrjen me 129 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore janë në Malin e Dajtit, Gurë-Lurë, Qafë Helmës, Bruç, Lufaj dhe Fushë-Lajë. Në këto zona vijojnë operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.

Ndërkohë, zjarri në Rrjoll është shuar plotësisht, ndërsa strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë vendin.

Njoftimi:

Ministria e Mbrojtjes - përditësim mbi situatën e zjarreve

(17 gusht 2026 - ora 20:00)

Deri në orën 20:00, datë 17 gusht 2026, në territorin e vendit janë regjistruar 13 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive dhe 3 janë në monitorim.

Në operacionet e shuarjes janë angazhuar 424 forca operacionale dhe 14 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 129 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:

• Mali i Dajtit, Tiranë – vijon operacioni me forcat në terren, të mbështetura nga 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Priska është nën kontroll dhe në monitorim, ndërsa në Vakumone zjarri është izoluar dhe situata paraqitet nën kontroll.

• Gurë-Lurë, Dibër – vijon angazhimi i gjerë me 180 forca bashkiake, 15 forca policore, 30 efektivë të FA dhe 2 avionë Air Tractor. Korridoret e hapura kanë penguar përhapjen e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

• Qafë Helmës – zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe mbetet aktiv drejt Selishtës, pa rrezik për zonat e banuara.

• Bruç, Mat – operacioni vijon në terren të vështirë me forcat vendore dhe vullnetare, të mbështetura edhe nga 1 helikopter i FA. Nuk ka rrezik për banesa, stane apo blegtori.

• Lufaj, Mirditë – vijon puna e strukturave operacionale, ndërsa 2 mjete zjarrfikëse të FA me 9 efektivë janë pozicionuar pranë banesave në lagjen Caraj për gatishmëri. Aktualisht vatra nuk paraqet rrezik për banesat.

• Fushë-Lajë, Pukë – vijon operacioni me 9 efektivë MZSH, 7 forca pyjore, 46 forca bashkiake, 16 vullnetarë dhe 40 efektivë të FA. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, vatra në Rrjoll është shuar plotësisht.

Situata vijon të menaxhohet me angazhim të koordinuar të strukturave të Mbrojtjes Civile dhe përqendrim të kapaciteteve tokësore e ajrore në vatrat aktive. Në shumicën e zonave aktive nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa disa vatra janë izoluar, vënë nën kontroll ose shuar plotësisht.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB