
TIRANË- Zëvendës sekretari i Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, ka mbërritur sot në Shqipëri. Gjatë qëndrimit të tij në Ballkanin Perëndimor ai do të vizitojë Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë. Sapo mbërriti në Tiranë, Verma publikoi disa foto në rrjetet e tij sociale.
“Mbërrita në Shqipërinë e bukur! I lumtur të nis vizitën time dhe të punoj me partnerët tanë për forcimin e demokracisë, sigurisë dhe mbështetjen e atyre në nevojë”, shkroi ai.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ai do të qëndrojë në Shqipëri dhe në rajon deri më 11 janar. Fokusi i vizitës së tij do të jetë diskutimi mbi përparimin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe do të falënderojë Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj afganëve. /ZËRI