
TIRANË-Bilal Kara, pronari i rrjetit spitalor “Sante Plus”, është raportuar nga mediat maqedonase se është arrestuar në Maqedoninë e Veriut. Sipas raportimeve, në pranga ka rënë edhe Geriana Arapi, ish-drejtuese e spitalit, e cila gjithashtu ishte shpallur në kërkim pas bllokimit të klinikës “International Medicare” në Tiranë, në shtator të vitit 2025. Sipas mediave vendase, sot, me vendim të gjyqtarit, biznesmenit i është konfiskuar pasaporta dhe i është caktuar masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit. Arrestimi i tyre raportohet se u bë gjatë një operacioni të gjerë të autoriteteve maqedonase, lidhur me dyshimet për abuzime financiare në ndërhyrjet kirurgjikale në sy. Bilal Kara ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2025, pasi dyshohet për abuzime të kryera përmes klinikës private “International Medicare”. Klinika u bllokua në shtator të vitit të kaluar, pasi dyshohej se nuk kishte deklaruar të ardhura me vlerë rreth 1 milion euro. Nga ana tjetër, vetë Bilal Kara ka reaguar duke mohuar arrestimin dhe deklaruar se nuk ndodhet në paraburgim dhe as nuk është arratisur.