TIRANË- Tirana do të përfshihet sot nga protestat, me studentët dhe opozitën që kanë paralajmëruar tubime kundër qeverisë.
Studentët do të zhvillojnë sot protestën e radhës kundër qeverisë. Në orën 12:00, studentët do të mblidhen para Ministrisë së Arsimit, ndërsa në orën 14:00 do ta zhvendosin protestën para Kryeministrisë. Krahas studentëve, në protestë pritet të marrin pjesë edhe pedagogët. Këta të fundit, prej ditësh kanë bojkotuar procesin mësimor dhe u janë bashkuar kërkesave të studentëve.
Por, këtë të shtunë, protesta e studentëve nuk do të jetë e vetmja. Në orën 12:00 gjithashtu, Partia Demokratike ka njoftuar protestë kombëtare në mbështetje të studentëve. Një ditë më parë, kryedemokrati Sali Berisha u bëri thirrje anëtarëve, mbështetësve dhe qytetarëve nga i gjithë vendi që t’i bashkohen tubimit.
Edhe të shtunën e kaluar, studentët dhe PD dolën në protestë në orare dhe zona të ndryshme të kryeqytetit. Protesta zgjati deri në orët e vonë, ku u regjistruan përplasje të forta dhe incidente të rënda. /ZËRI