Aktualitet

Bënë shqiponjën me duar, ndalohen 4 nxënës shqiptarë në Mal të Zi, e moshuara i kallëzoi

E moshuara ka njoftuar policinë dhe ka bërë kallëzim, duke pretenduar se ishte kërcënuar prej tyre.

F.I

Bënë shqiponjën me duar, ndalohen 4 nxënës

foto ilustruese

MALI I ZI-Një incident mes disa nxënësve shqiptarë dhe një të moshuare malazez është regjistruar në Kotor, i cili ka çuar në ndalimin e katër nxënësve nga policia e Malit të Zi. Shkak i shoqërimit të tyre dyshohet të jetë bërë simboli i shqiponjës me duar nga nxënësit shqiptarë në rrugët e qytetit. Katër të rinjtë mësohet se janë gjimnazistë të shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Durrës.

Mediat vendase raportojnë se ngjarja ka ndodhur pasditen e 31 tetorit, rreth orës 17:30, kur një grua e moshuar malazeze u ka kërkuar të ndalonin, por nxënësit nuk e kanë kuptuar pasi ajo u është drejtuar në gjuhën malazeze. E moshuara ka njoftuar policinë dhe ka bërë kallëzim, duke pretenduar se ishte kërcënuar prej tyre.

Pas marrjes së deklaratës me shkrim të shtetases malazeze, autoritetet vendosën ndalimin e tyre për kundërvajtjen e pretenduar të nxitjes së urrejtjes kombëtare. Nxënësit, të gjithë djem, kanë kaluar natën në ambientet e policisë, ndërsa më pas janë lënë të lirë. Ambasada shqiptare në Mal të Zi dha lajmin për lirimin e nxënësve, ku ku në njoftim deklaroi se ka qëndruar pranë tyre duke u ofruar asistencë dhe ka komunikuar vazhdimisht me familjarët e mësuesit. Gjatë procedurave, të miturve u është siguruar avokat, përkthyes e psikolog.

"Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi informon se katër nxënësit shqiptarë të mitur, të ndaluar më 31 tetor në Kotorr, janë liruar pa dënim pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe janë nisur drejt Shqipërisë. Sipas informacionit të marrë, ndalimi pasoi një konflikt verbal me një shtetase malazeze, pasi nxënësit kishin bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare. Që prej marrjes dijeni për ngjarjen dhe deri në përfundimin e procedurave ligjore e nisjen e nxënësve drejt Shqipërisë, përfaqësuesi i Ambasadës ka qëndruar pranë tyre, duke ofruar asistencë konsullore. Ambasada ka mbajtur gjatë gjithë kohës komunikim të vazhdueshëm me autoritetet malazeze, familjarët dhe mësuesit. Sipas autoriteteve malazeze, gjatë procedurave është garantuar respektimi i të drejtave të të miturve dhe u është siguruar avokat, përkthyes dhe psikolog. Ambasada vlerëson bashkëpunimin me autoritetet malazeze dhe mbetet e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shtetasve shqiptarë,"-thuhet në njoftimin e Ambasadës./ZËRI

MOS HUMB