
PARIS- Linja ajrore pakistaneze ka tërhequr kritika kudo në rrjet me publikimin e një reklame që tregonte një aeroplan duke fluturuar drejt Kullës Eiffel. Reklama kishte për qëllim të promovonte rifillimin e fluturimeve të Pakistan International Airlines drejt kryeqytetit francez dhe kishte mbishkrimin: Paris, ne po vijmë sot!
Disa përdorues të mediave sociale vunë në dukje ngjashmërinë e reklamës me sulmet terroriste në SHBA më 11 shtator 2001.
"A është kjo një reklamë apo një kërcënim?,"- një përdorues shkroi në X. Një tjetër bëri thirrje që kompania të "pushonte menaxherin e rrjetit të marketingut”. Postimi ka marrë më shumë se 21 milionë shikime në rrjetin social X, që kur u publikua javën e kaluar dhe ka marrë mijëra komente duke kërkuar shpjegime. Kryeministri Shehbaz Sharif ka urdhëruar një hetim për këtë çështje, ndërsa zëvendëskryeministri Ishaq Dar e ka kritikuar gjithashtu reklamën.
Më 11 shtator 2001, SHBA u trondit nga sulmet terroriste ku 4 avionë u përplasen në kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe Pentagonit në Uashington DC, duke vrarë afro 3,000 njerëz. Organizatori i dyshuar i sulmeve, Khalid Sheikh Mohammad, u arrestua në Pakistan në vitin 2003. Osama bin Laden, lideri i rrjetit ekstremist al-Kaeda që planifikoi sulmet, u vra nga trupat amerikane në Pakistan në vitin 2011.
Gazetari pakistanez Omar Quraishi tha se reklama e PIA-s e la atë "me të vërtetë pa fjalë".
“A nuk e ka verifikuar këtë menaxhmenti i linjës ajrore? A nuk e dinë ata për tragjedinë e 11 shtatorit - e cila përdori avionë për të sulmuar ndërtesat? A nuk mendonin se kjo do të perceptohej në mënyrë të ngjashme", shkroi ai në X.
Linja ajrore nuk ka komentuar mbi incidentin./ZËRI