BRITANIA E MADHE-Që prej 13 korrikut, qytete të ndryshme të Britanisë janë përfshirë nga protesta kundër emigracionit. Sekretarja e Brendshme Yvette Cooper në një deklaratë të gjerë në Parlament mbi sistemin e azilit, u shpreh se do të paraqesë rregulla të reja për imigracionin për të pezulluar përkohësisht aplikimet e reja për bashkimin familjar të refugjatëve përpara reformave të rëndësishme që do të futen në fuqi pranverën e ardhshme.
Sipas rregullave të reja, ata që kërkojnë të sjellin familjarët e tyre në Britaninë e Madhe do të duhet të përmbushin disa kushte më të forta: të kenë të ardhura të mjaftueshme, të njohin gjuhën angleze dhe të kenë jetuar një periudhë minimale në vend. Cooper tha se qëllimi i këtyre masave është të ruhet një balancë mes humanizmit dhe aftësisë së shtetit për të menaxhuar integrimin, raportojnë mediat e huaja.
Një tjetër pikë që u njoftua ishte vendimi i qeverisë për të mbyllur të gjitha hotelet që aktualisht përdoren për të strehuar azilkërkues deri në vitin 2029. Një deklaratë e ndryshimeve në Rregullat e Imigracionit do të publikohet këtë javë për të zbatuar pezullimin e përkohshëm./ZËRI