Bota

Armëpushimi Izrael-Hamas! Detaje: Marrëveshja me 3 faza, fillimisht do të lirohen gratë dhe fëmijët

Sipas marrëveshjes Hamasi do të lirojë së pari të gjitha gratë, të miturit deri në moshën 19 vjeç dhe më pas burrat mbi 50 vjeç

F.I
Armëpushimi Izrael-Hamas! Detaje: Marrëveshja me 3 faza, fillimisht do
FOTO ILUSTRUESE

IZRAEL-Pas 15 muajsh lufte, Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për një armëpushim në Rripin e Gazës. Marrëveshja me 3 faza e arritur nuk do të thotë fundi i luftës. Lirimi i pengjeve do të ndodhë brenda një periudhe prej 42 ditësh, ku do të dorëzohen 3 izraelitë çdo javë dhe një numër të burgosurish palestinezë që varion nga 990 deri në 1,650.

Fillimisht do të lirohen nga Rripi i Gazës 33 pengje izraelite. Sipas marrëveshjes Hamasi do të lirojë së pari të gjitha gratë, të miturit deri në moshën 19 vjeç dhe më pas burrat mbi 50 vjeç, që mbahen robër.

Për çdo peng civil, Izraeli do të lirojë 30 të burgosur palestinezë që mbahen në burgjet izraelite. Për çdo ushtar izraelit që mbahet peng nga Hamasi, do të lirohen 50 të burgosur palestinezë. Ekstremistët vazhdojnë të mbajnë ende peng 94 vetë në Rripin e Gazës. Përveç kësaj çdo ditë do të hyjnë në Rripin e Gazës 600 kamionë me ndihma. 300 kamionë janë të destinuar për në veri të Rripit të Gazës. Po ashtu do të lejohet edhe sjellja e karburantit.

Personat mbi 50 vjeç që do të lirohen do të shkëmbehen secili me tre të burgosur (nëse janë të dënuar me burgim të përjetshëm) ose me 27 të burgosur (nëse dënimi është për vepra të tjera). Një numër i pacaktuar palestinezësh do të lirohen jashtë vendit, sipas kërkesave të Izraelit që nuk dëshiron kthimin e disa të burgosurve në Bregun Perëndimor. Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për emrat e 33 pengjeve, megjithëse mbrëmë Haaretz publikoi disa prej tyre. Ndër ta mendohet të jenë vëllezërit e vegjël Bibas (9 muajsh dhe 5 vjeç kur u rrëmbyen) dhe nëna e tyre, për të cilët Hamas deklaroi se kishin vdekur në një video të publikuar në nëntor 2023. Në video shfaqen burra të Hamasit që i thonë babait të dy fëmijëve: "Gruaja dhe fëmijët e tu vdiqën gjatë një sulmi ajror izraelit."

Faza dhe kalendari

Marrëveshja, siç thamë, përfshin tre faza. Çdo fazë zgjat 42 ditë dhe armëpushimi hyn në fuqi duke filluar nga e diela. Të dielën pritet të lirohen tre pengjet e para, që përfshijnë gra, të sëmurë, të moshuar, të plagosur dhe fëmijë. Më pas, lirimi gradual i të tjerëve deri në javën e fundit, kur do të lirohen 14 pengjet e fundit, shkruan Corriere Della Sera.

Nuk dihet se sa nga 33 pengjet janë gjallë dhe sa jo. Disa raportime gazetareske flasin për 24 të gjallë nga 33. Aktualisht, Hamas ka 98 pengje, prej të cilëve 36 mendohet se janë të vdekur. Në pikën "d" të paragrafit të tretë të draftit, përmenden dy pengje që Hamas i mban në Gaza që nga viti 2014. Ata janë dy djem (një etiopian dhe një beduin, izraelitë) me probleme mendore, të cilët hynë në Gaza dhe u rrëmbyen. Thuhet se ata do të lirohen secili në këmbim të 30 të burgosurish palestinezë.

Në ditën e 16-të nga 42 ditët e kësaj faze të parë do të fillojnë bisedimet për fazën e dytë, gjatë së cilës do të lirohen të gjithë pengjet e mbetura gjallë. Kthimi i trupave të pajetë është parashikuar në fazën e tretë, kur pritet të përcaktohet edhe një plan për rindërtim dhe krijimin e një strukture të re qeverisëse nën mbikëqyrjen e Egjiptit, Katarit dhe Kombeve të Bashkuara.

Tërheqja e ushtarëve

Prania e ardhshme izraelite në Rripin e Gazës ka qenë ndoshta çështja më e diskutueshme. Parashikohet një tërheqje graduale e forcave izraelite nga korridori Filadelfia (që ndan Rripin nga Sinaja egjiptiane) bazuar në harta që ishin ndër pikat e fundit të miratuara nga palët. Ushtria do të qëndrojë në një zonë ‘tampon’ gjatë fazës së parë. Tërheqje graduale edhe nga qendrat e banuara të Rripit dhe mundësi për palestinezët të kthehen në veri të Gazës (pas kontrollit në një pikë të përcaktuar si "marrëveshje sigurie"). Në fund, tërheqja nga korridori Netzarim që ndan në dy pjesë Rripin e Gazës. Të gjitha këto hapa janë të nevojshme për të lejuar hyrjen e 600 kamionëve me ndihma humanitare në ditë nga kalimi i Rafahut. /ZËRI

Poll

MOS HUMB