SHBA- Presidenti Donald Trump ka deklaruar se është “shumë i bindur” se i dyshuari për vrasjen e Charlie Kirk është arrestuar dhe po merret në pyetje. Ai tha se babai i të dyshuarit po bashkëpunonte me hetuesit për ta gjetur atë.
“Unë besoj me besim të madh se e kemi atë në paraburgim. Kjo është ajo që ndodh kur ke disa fotografi të mira. Shpresoj -ai do të shpallet fajtor, mendoj -dhe shpresoj që të marrë dënimin me vdekje. Në Utah, ata kanë dënimin me vdekje dhe atje keni një guvernator shumë të mirë. Guvernatori, e kam takuar atë, guvernatori është shumë i përkushtuar ndaj dënimit me vdekje në këtë rast“, tha Trump gjatë një paraqitjeje në Fox News.
Një ditë më parë FBI publikoi një fotografi të një personi që dyshohet të jetë autori i vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk. Ky i fundit, një mbështetës i flaktë i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, u vra gjatë një eventi ku ai mori pjesë në Universitetin Utah Valley. Kirk ishte i njohur për rolin e tij me ndikim në qarqet konservatore republikane në SHBA si dhe për mbështetjen e tij të fortë për Izraelin.
Sipas njoftimeve, autori i sulmit mbërriti në universitet pak para mesditës. Ai u ngjit në çatinë përballë vendit ku Kirk ishte planifikuar të shfaqej. Pas sulmit vrasës me një të shtënë të vetme, e cila e goditi Kirk në qafë, personi u hodh nga çatia dhe iku drejt një lagjeje aty pranë./ZËRI