
PRISHTINË- Bashkëshorti i ish-ministres shqiptare të Arsimit Besa Shahini, Dardan Molliqaj është vendosur sërish në pranga. Lajmin e ka bërë me dije me një njoftim zyrtar forca politike që ai drejton. Sipas njoftimit që ka bërë Partia Socialdemokrate e Kosovës, Molliqaj është vendosur në pranga teksa po shkonte në një takim. Teksa kërkojnë lirimin e Molliqajt, shtojnë se ky arrestim është presion politik dhe demonstrim force.
“Ky arrestim është totalisht jashtë çdo racionaliteti. Përderisa nuk ka marrë as ftesë nga gjykata dhe në të njëjtën kohë çdo ditë është në rutinën e tij dhe mund të gjindet lehtësisht, kjo sjellje nuk mund të lexohet ndryshe përveç se presion politik dhe demonstrim force nga një njësi e krijuar për situata emergjente dhe të rrezikshme, jo për të ndaluar opozitën politike. Prioriteti dhe zelli në të cilin janë vendosur anëtarët e PSD-së për “shqyrtim rastesh” lë dyshime se kjo po ndodhë qëllimshëm, meqë një numër të madh rastesh e kanë së bashku me antëtarët e VV-së, duket që mësyrja është kryesisht ndaj PSD-së.Arrestime të tilla nuk na ndalin, vetëm e bëjnë më të qartë për të gjithë kush ka frikë nga organizimi politik.Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Dardan Molliqajt,”- përfundon njoftimi.