
SHBA- Zbulohen detaje të tjera nga "përzënia" e presidentit Volodymir Zelenskyy nga Shtëpia e Bardhë. Nga burimet e BBC është mësuar se pas takimit në Zyrën Ovale, delegacioni ukrainas u dërgua në një dhomë të ndarë. Më pas, atje shkuan, këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz dhe sekretari i shtetit Marco Rubio. Ishin këta të dy që i kërkuan presidentit ukrainas që të largohej nga Shtëpia e Bardhë.
Kështu u anulua edhe konferenca për shtyp që ishte paralajmëruar.
Madje nuk u nënshkrua as marrëveshja për mineralet e rralla. Pas takimit, në një deklaratë zyrtare nga "Shtëpia e Bardhë" shkruhej se Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance nuk do të lejojnë kurrë që të përfitohej prej popullit amerikan.
"Dyshja do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të interesave të popullit amerikan dhe atyre që respektojnë pozicionin e Shteteve të Bashkuara në botë."
Në këto kushte, natyrisht që dalja e Zelenskyy-t nga Shtëpia e Bardhë ishte e nxituar dhe me pak ceremoni. Kamera e ekipit televiziv e ka kapur duke dalë nga godina i shoqëruar vetëm nga një zonjë që merret me protokollin.

Ai e përshëndeti me nxitim dhe pothuajse pa e parë dhe hipi në makinë. Anëtarët e tjerë të delegacionit u futën me shpejtësi në makinat e tyre dhe u nisën drejt aeroportit. Si pjesë e vizitës së tij në Uashington DC, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të fliste sonte në Institutin konservator Hudson, gjithmonë pas takimit me Trump.
Por edhe ky takim iu anulua./ZËRI