GROENLANDË- Përfaqësuesit e Groenlandës dhe Danimarkës do të priten sot në Uashington nga zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance për të diskutuar në lidhje me marrjen nën kontroll të ishullit.
“Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, do të presë ministrat e jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës, si dhe homologun e tyre amerikan, Marco Rubio, në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën”, - shkruan BBC.
Ende nuk ka detaje se si Uashingtoni synon ta trajtojë takimin e sotëm, a do gjendet gjuha e përbashkët, apo do të ketë konfrontim mes përfaqësuesve?
Përpara takimit të sotëm në Uashington, kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha se vendi i tij përballet me një krizë gjeopolitike, "dhe nëse duhet të zgjedhim midis SHBA-së dhe Danimarkës këtu dhe tani, atëherë zgjedhim Danimarkën".
Po ashtu në një reagim zyrtar, Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen theksoi se popullsia dhe autoritetet e ishullit zgjedhin të qëndrojnë me Danimarkën, NATO-n dhe Bashkimin Evropian, duke refuzuar çdo sugjerim për nënshtrim ndaj kontrolleve amerikane.
Ndërsa kujtojmë se shtetet e tjera evropiane dhe aleatët e NATO-s kanë shprehur shqetësim për retorikën e Trump, duke nënvizuar se çdo ndryshim në sovranitetin e Groenlandës duhet të ndodhë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me vullnetin e popullit të ishullit.
Trump tha se dëshiron të arrijë një marrëveshje me autoritetet e Danimarkës, por nuk përjashtoi as përdorimin e forcës nëse do të jetë e nevojshme. Ai u shpreh se një marrëveshje do të ishte “më e lehtë”, por SHBA-ja do të ketë Groenlandën “me çdo mënyrë”.
Përse SHBA kërkon Groenlandën?
Groenlanda është e pasur me burime natyrore, duke përfshirë metale të rralla dhe minerale që SHBA-ja dhe çdo fuqi tjetër globale i dëshirojnë për shkak të rëndësisë së tyre për industritë e teknologjisë së lartë, duke përfshirë teknologjitë e përparuara të mbrojtjes. Uashingtoni gjithashtu ka parasysh potencialin e hapjes së rrugëve të reja, potencialisht fitimprurëse të transportit detar, ndërsa shkrihet akulli i Arktikut.
Groenlanda është një territor gjysmë-autonom i Danimarkës, por gjeografikisht është pjesë e Amerikës së Veriut. Ishulli është më afër Uashingtonit sesa Kopenhageni dhe Donald Trump duket se ka një interes të madh për ta bërë Amerikën më të madhe në aspektin e madhësisë dhe dominimit./ZËRI