HAGË- Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur rezerva të forta mbi vendimin e Gjykatës Speciale, për të mbajtur sot seancën ndaj tij, në një datë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Thaçi tha se data e sotme duhet të ishte një ditë feste për të gjithë shqiptarët, në Kosovë e Shqipëri.
“E mirëpres mbajtjen e kësaj seance dhe për këtë arsye edhe jam sot në seancë sepse jam për respektimin e shtetit ligjor. Por, është me interes që në këtë gjykatë që të mos ndodhin gjëra që s’lejohet të ndodhin në shtetet te tuaja përkatëse. Si çdo popull edhe ne shqiptarët, kemi historinë, vlerat kombëtare dhe shtetërore.
Mendoj se caktimi i kësaj seance pikërisht sot më 28 nëntor do të duhej evituar. Mbajtja e kësaj seance pikërisht sot për mua dhe çdo shqiptar është befasi jo e mirë. Ka festë kombëtare, shtetërore dhe familjare sepse është festa e dinjitetit dhe krenarisë kombëtare si çdo popull i lirë në botë, feston dhe kujton. Edhe ai i i Kosovës edhe kujton edhe feston. Nuk më mbetet tjetër që t’i uroj shqiptarët që të festojnë të bashkuar, krenarë dhe me dinjitet. Besoj që nëntorët e tjerë do t’i festojmë bashkërisht”, tha Thaçi.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po mbahet në paraburgim që nga 5 nëntori i vitit 2020. Në po këtë ditë, ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe ishte transferuar për në Hagë. Arsye për këtë ishte ngritja e aktakuzës nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Përveç Thaçit, aktakuzë është ngritur edhe ndaj Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999./ZËRI