PRISHTINË- Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama për editorialin e përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Gërvalla u shpreh në RTK se qytetarët e Kosovës nuk do e falin këtë qëndrim të Ramës, ku sipas saj artikulli krijon përshtypjen se kryeministri shqiptar ndërhyn në momente të vështira për Vuçiçin në raport me Bashkimin Europian.
“Nga ana e kryeministrit Rama, i cili i tejkalon edhe ato kur kemi mbyllur njërin sy në të kaluarën, është artikulli i fundit i publikuar së bashku me Vuçiçin në gazetën prestigjioze gjermane. Unë mendoj që qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur atë artikull kryeministrit Rama, sepse krijohet përshtypja herë pas herë që gjithmonë atëherë kur Vuçiqin BE-ja, Europa e mbështet me shpatulla për muri, del Edi Rama dhe e nxjerr nga ajo situatë”, u shpreh ajo.
Ministrja shtoi se Shqipëria nuk duhet të ndërtojë alternativa bashkëpunimi me Serbinë që anashkalojnë Kosovën, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të saj në çdo raport rajonal.
“Nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë. Rruga nga Tirana për Beograd çon nëpër Prishtinë, edhe gjeografikisht, edhe ekonomikisht, edhe në çdo aspekt. Kështu, secili kryeministër apo president shqiptar që e harron këtë ta dini që në afatgjatë ka për të bërë gabime të mëdha që kanë për ta dëmtuar kombin tonë më shumë”, tha ajo në RTK.
Sipas Gërvallës, problemi kryesor i editorialit nuk qëndron te bashkëautorësia mes Ramës dhe Vuçiçit, por te përmbajtja e tij, ku propozohet që Shqipëria dhe Serbia të integrohen së bashku në Bashkimin Europian. Ajo kritikoi faktin që në artikull nuk përmendet qëndrimi i Serbisë ndaj Perëndimit dhe lidhjet e saj me vende si Rusia, Kina apo Irani, duke e konsideruar këtë si një mospërputhje me orientimin euroatlantik të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Problemi i artikullit nuk është pse Rama me Vuçiçin shkruajnë një artikull të përbashkët, por problem i atij artikulli është që propozimi është që Serbia dhe Shqipëria të hyjnë së bashku në Bashkimin Europian, duke mos përmendur në asnjë rrokje të vetme, pozicionin që ka Serbia në raport me Perëndimin, Rusinë, Kinën, Venezuelën, Iranin dhe forcat botërore që bien ndesh në çdo aspekt me përcaktimet tona për BE dhe NATO por edhe me përcaktimet e Shqipërisë”, ka thënë ajo./ZËRI